KRYEFAQJA » LAJME » PE debati për Shqipërinë: Luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta
PE debati për Shqipërinë: Luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta

PE debati për Shqipërinë: Luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian nisi të hënën pasdite debatin për zhvillimet në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Maqedoni, përpara votimit të draft-rezolutave specifike për këto vende, pasditen e së martës.
Raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein kujtoi fillimisht se raporti i tij “mbështet çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian sapo të nis zbatimi i hapave fillestarë në  reformën e drejtësisë, një proces i gjatë” sipas tij, “që do të vazhdojë paralelisht me negociatat edhe në të ardhmen.” Pasi falenderoi kolegët e tij për arritjen e 18 kompromiseve, socialdemokrati gjerman renditi sukseset e arritura gjatë 2016, ndërsa listoi më pas se çfarë pret Parlamenti Europian nga vendi.
Zoti Fleckenstein nënvizoi si nevojë zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi, suksesin e qëndrueshëm në luftën ndaj krimit të organizuar dhe kjo jo vetëm për hetimet, por edhe në ndjekjen deri në nivelet më të larta, si dhe eleminimin përfundimtar të rrjeteve kriminale. Ai shtoi nevojën e vazhdimit të forcimit të legjislacionit kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve përkatëse ndaj ndikimeve politike, vijimin e reformës në administratën publike në mënyrë që t’i shërbejë interesave të qytetarëve në Shqipëri  dhe të jetë në gjëndje për drejtim efikas dhe efektiv të bisedimeve  për pranimin në BE dhe më tej kërkoi bashkëpunim më të gjerë me shoqërinë civile dhe përmirësimin e situatës për mediat, minoritetet, për të drejtat e pronës dhe dialogun social.”
Eurodeputeti i djathtë Eduard Kukan mbështeti raportin e socialdemokratit Fleckenstein me amendimet e dakortësuara, duke kujtuar se Shqipëria ka dhënë sinjale pozitive për ecurinë e reformave në fushat kyçe. Por ai bëri “thirrje urgjente” për të mbyllur rishikimin e kodit elektoral dhe përgatitjen në kohë të zgjedhjeve parlamentare të radhës”.  Zoti Kukan tha se mbështeste “shqetësimet kritike si kultivimi e trafiku i drogës, situata e medias dhe çështjet mjedisore”, ndërsa kritikoi pjesën e draft-rezolutës për minoritetet, duke iu drejtuar kolegëve grek të pranishëm në sallë.  “Ka një shqetësim të rritur për të drejtat e minoriteteve dhe mbrojtjen e minoriteteve. Sinqerisht, jam i mahnitur sepse çështja nuk ka qenë kaq problematike më parë, as në kohën kur raportues për Shqipërinë ishte miku im i mirë grek, Niko Chountis “ tha zoti Kuka.
Charles Tanock, ndjekës-raportues për Shqipërinë, shprehu shqetësimin sipas tij “për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqipëtarë në BE” dhe tha se “kjo çështje duhet zgjidhur brenda kontekstit të mbrojtjes së BEsë ndaj azilit prej vendeve kandidate, në pajtim konsultimesh me angazhimet e marra nga vendi në fushën e sundimit të ligjit dhe kritereve të Kopenhagen”. Pavarësisht shqetësimeve, Tanock tha se grupi i konservatorëve dhe reformatorëve europian e mbështet raportin. Ndërkohë që për liberalët, Shqipëria meriton tashmë nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe “zgjedhjet e radhës hapin rrugën për këtë”
Nga ana tjetër ndjekës-raportuesi Ilhan Kyuchyuk, kërkoi mbështetjen e kolegëve për të miratuar amendamentin e tij mbi votën e emigrantëve shqipëtarë. “Mbase do të ishte me vend për Shqipërinë që të shihte mundësinë për qytetarët e saj që jetojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhje dhe shpresoj se gjatë votimit, ju do ta mbështesni këtë” tha ai.
Me tone më të zbutura, ekstremistët e majtë shprehën mbështetjen ndaj raportit të Fleckenstein, por eurodeputetja greke Sofia Sakorafa, insistoi, që Tirana zyrtare të shmang komentet ndaj Athinës dhe të respektojë statusin ligjor të minoritarëve dhe përkatësinë e tyre fetare. “ Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqipëtare që të respektojë plotësisht të drejtat fetare të minoriteteve dhe më lejoni të shtoj, meqë përmendët fqinjësinë e mirë të Shqipërisë, por ju duhet të jeni vënë në dijeni, siç përmendet në amendamentin kompromis 18, se së fundmi ka patur disa komente të kryeministrit Rama dhe anëtarëve të qeverisë së tij kundër Greqisë” tha ai
Të gjelbrit kërkuan përfshirjen e pasazhit të raportit të Komisionit Europian mbi “praktikën e gjakmarrjes” në Shqipëri, si dhe zgjerimin e zonës së mbrojtur nga ndërtimi i hidrocentraleve të reja.
Tamas Meszerics, eurodeputet hungarez, tha se “Nga 171 hidrocentrale të planifikuara, 44 prej tyre gjenden në zonën e mbrojtur të Shqipërisë dhe për dijeni, kjo është shumë e lartë  dhe Shqipëria duhet ta trajtojë këtë çështje dhe e falenderoj qeverinë shqipëtare për qëndrimin në këtë kontekst mbi parkun kombëtar, por do të donim në fakt të shihnim një zgjerim të zonës së mbrojtur në të gjithë lumin e Vjosës.”
Edhe eurodeputetja kroate,  Dubravka Suica, kërkoi, më pas, që autoritetet shqipëtare të marrin masa ndaj ndotjes së Detit Adriatik, brenda kuadrit të forumeve rajonale. Në mënyrë të përsëritur, përfshirë dhe në fillim të këtij muaji, sipas saj, depozitohen mbeturina nga Shqipëria dhe Mali i Zi në brigjet kroate.
Megjithëse jo aktiv kohët e fundit në debatet e Komitetit për Shqipërinë, socialdemokrati rumun, Victor Bostinaru, kërkoi nga kolegët që ta mbështesin vendin për punën e bërë dhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. “Ngërçi politik është kapërcyer dhe duhet njohur roli kyç i Tiranës në rajon,” sipas tij .
Dy folësit e fundit në këtë debat u përqëndruan debatin tek shkelja e tek dhunimi sipas tyre i të drejtave sociale e arsimore të minoritetit grek dhe vështirësitë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.  Georgios Epitideios nga Agimi i Artë u ankua dhe për “pretendimet territoriale të Shqipërisë ndaj Greqisë”. “Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit, që kërkon t’i bashkohet Unionit, me pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj. Ne shohim rregullisht në Greqi dhunimin e traktateve të mira të fqinjësisë që kemi me Shqipërinë. Kjo duhet zgjidhur përpara negociatave, në të kundërt do të kemi situatën e ngjashme si me Turqinë, pra që të flasim, si aktualisht, pa shkuar asgjëkundi” tha ai.
“Raporti flet për respektimin e të gjitha minoriteteve dhe nuk pres që të gjithë kolegët grek ta kuptojnë këtë”, ironizoi nga ana e tij Fleckenstein në fjalën përmbyllëse të debatit për Shqipërinë, ndërsa për të gjelbrit, ai u përgjigj se “mbrojtja e mjedisit është e rëndësishme, por duhet treguar kujdesi për të mos u përfshirë në punët e brendshme të vendit”.
Përfaqësuesit e Komisionit Europian mbeten të kënaqur nga debati 30 minutësh i Komitetit të Jashtëm, pasi as nuk u pyetën dhe as nuk shtuan gjë mbi Shqipërinë, ndryshe nga diskutimet vijuese të eurodeputetëve mbi zhvillimet më problematike në Bosnje, Maqedoni dhe Mali të Zi.

Sicred