KRYEFAQJA » LAJME » PD, kundërshtime ndaj Bashës
Basha fut emra të rinj në listë, ndërsa lë jashtë krerë të PD

PD, kundërshtime ndaj Bashës

Ndërsa PD e udhëhequr nga Lulzim Bashës po shkojnë drejt zgjedhjeve të 18 qershorit të vendosur për të mos marrë pjesë, madje duke radikalizuar situatën, figura të njohura të saj kanë dalë kundër.
Ish kryetari i PD Eduard Selami gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” akuzoi zotin Basha për përdorimin e një retorike populiste dhe gjuhë të papërshtatshme për të anashkaluar institucionet, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë. Për zotin Selami vendimi që PD të mos marrë pjesë në zgjedhje është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike.
Ish nënkryetarja e partisë dhe ish kryetarja e parlamentit për dy legjislatura, zonja Jozefina Topalli nga ana e saj ka kërkuar mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kostot e bojkotit.
Për ish ministren e integrimit Majlinda Bregu “Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe çadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme” shprehet ajo në një reagim të saj. Zonja Bregu ka kujtuar ndërkombëtarët duan që PD të hyjë në zgjedhje! “Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi! … Dhe une jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi!” shkruan zonja Bregu.
Ndërkaq ish deputeti demokrat Fatos Hoxha ka vendosur që të kandidojë si emër i parë në qarkun e Kukësit për PDIU. Zoti Hoxha ka deklaruar me këtë rastse vendimi është në kushtet e emergjencës pasi “elektorati i Partisë Demokratike po ngelet pa përfaqësim”.

Sicred