KRYEFAQJA » LAJME » PD: Bego ka përfituar fonde dhe pasuri publike nga qeveria socialiste
PD: Bego ka përfituar fonde dhe pasuri publike nga qeveria socialiste

PD: Bego ka përfituar fonde dhe pasuri publike nga qeveria socialiste

Edhe më tej Partia Demokratike e opozitës së djathtë, vazhdon të këmbënguli në lidhjet me përfitime reciproke mes numrit dy të socialistëve Taulant Balla dhe shtetasit Edmond Bego, i cili konsiderohet person që ka patur probleme me drejtësinë. Deputeti Ervin Salianji gjatë një dalje për mediat tha se Bego ka përfituar jo vetëm fonde publike, por edhe pasuri publike nga qeveria socialiste. “Edmond Bego, miku trafikant droge me 5 emra i Taulant Ballës, nuk ka përfituar vetëm para publike në kundërshtim me ligjin, 10 milionë euro dhe 6.4 miliardë lekë në 7 muajt e fundit, por ka përfituar edhe pasuri publike” tha zoti Salianji. Sipas tij ministri Gjiknuri 3 vjet më parë ka firmosur leje minerare pa garë për Edmond Begon. “Sipas lejes që ka firmosur Damian Gjiknuri, miku trafikant droge i Taulant Ballës, ka të drejtë të shfrytëzojë për 25 vjet pasuritë natyrore në interes të biznesit të tij të ndërtimit, i cili duhet të ishte tani nën sekuestro nga prokuroria” tha deputeti Salianji. Ai kujtoi se “Ligji skualifikon nga gara çdo ofertues, të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale, si Edmond Bego”.
Deputeti i opozitës akuzoi prokurorinë se “…po provon çdo ditë se i shërben krimit të organizuar të lidhur me pushtetin”. Zoti Salianji parlajmërori se “Për pasuritë e trafikantëve si Bega dhe politikanëve si Balla e Gjiknuri, drejtësia mund të vonojë, por me ligjin tonë antimafia, do të bëjmë që drejtësia të mos harrojë”.