KRYEFAQJA » LAJME » Partizani mundet 0-1 nga Maribori në premierën evropiane
Partizani mundet 0-1 nga Maribori në premierën evropiane

Partizani mundet 0-1 nga Maribori në premierën evropiane

Ka nisur me një humbje minimale debutimi i Skënder Gegës në stolin e Partizanit, pasi të kuqtë kryeqytetias janë mundur 0-1 përballë Mariborit, në takimin e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Evropës.
Pjesa e parë e ndeshjes që u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka patur dy tablo, me të kuqtë kryeqytetas më kërkues në 20 minutat e para, por me sllovenët shumë më të rrezikshëm në 25 minutat e tjera.
Partizani rrezikon të shënojë pas vetëm 105 sekondash lojë, kur Asani del i vetëm në krahun e djathtë, godet prirazi dhe portieri devijon me këmbë. Maribori kundërpërgjigjet brenda 60 sekondash, por një rast i pastër për shënim, shpërdorohet nga Milec. Loja do të bjerë në qetësi në minutat në vijim, me një gjymsërast të Partizanit me Belicën dhe një pretendim, por pa sukses, për 11-metërsh për të kuqtë. 25 minutat e mbetura të pjesës së parë do të shohin një reagim të fortë të skuadrës sllovene, që nis ta hedhë më tepër vështrimin përpara dhe ta godasë më shpesh portën e gardianit të kuq, Alban Hoxha. Por kapiteni i Partizanit është dëshmuar në lartësinë e detyrës dhe, sa për meritë të tij, aq edhe për mangësi në finalizim të Mariborit, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë ka nisur mirë për Partizanin, por një gabim në mbrojtje i Belicës i ka ndëshkuar të kuqtë e Gegës, pasi Gregor Bajde mposht Hoxhën dhe përshëndet rrjetën në minutën e 49-të.
40 minutat e mbetura të ndeshjes dhe ato shtesë do të shohin një lojë të hapur nga të dyja skuadrat, me Partizanin në kërkim të golit të barazimit, por edhe me Mariborit që synon, nëpërmjet kundërsulmit, të gjejë edhe golin e dytë, që do të ishte ai i sigurisë. Megjithatë, nuk ka më gola të tjerë dhe Maribori merr një fitore minimale, por mjaft të vyer për ndeshjen e kthimit pas një jave, ndërsa Partizani do të reflektojë mbi atë që mund të kishte qenë, po të ishin shmangur gabimet, si në finalizim, ashtu edhe në fazën mbrojtëse.

Sicred