KRYEFAQJA » LAJME » “Partizani” largon Starovën dhe vendos Dalipin
"Partizani" largon Starovën dhe vendos Dalipin

“Partizani” largon Starovën dhe vendos Dalipin

Sulejman Starova nuk do të jetë më trajner i Partizanit. Një gjë e tillë është mësuar të hënën paradite, pas një njoftimi të klubit kryeqytetas, të afishuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. “Pas barazimit 1-1 të arritur në Durrës ndaj Teutës, Bordi Drejtues i klubit zhvilloi mbrëmjen e së dielës një mbledhje urgjente, – shkruhet në njoftimin e klubit të Partizanit. – Duke analizuar situatën aktuale dhe objektivat që ekipi synon për pjesën e mbetur të sezonit, drejtuesit e klubit kanë kërkuar dorëheqjen e Sulejman Starovës nga drejtimi i ekipit, vendim i cili është pranuar prej tij. Në vijim të sezonit futbollistik drejtimin e skuadrës do ta marrë Klevis Dalipi.” Sipas njoftimit të të kuqve të kryeqytetit, një ndryshim i tillë është konsideruar i domosdoshëm nga drejtuesit në kuadër të strategjisë së rinovimit dhe për t’i dhënë një impuls pozitiv lojës dhe rezultateve të skuadrës. “Klubi falënderon trajnerin Sulejman Starova për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në klub dhe në drejtimin e skuadrës”, – përfundon njoftimi i Klubit të Futbollit “Partizani”. Aktualisht, Partizani mban vendin e 6-të në renditjen e Kategorisë Superiore, me 32 pikë, duke qenë plot 21 pikë prapa Skënderbeut kryesues.

Sicred