KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Partitë që fituan zgjedhjet dhe partitë që fitojnë vetëm paratë e buxhetit

Partitë që fituan zgjedhjet dhe partitë që fitojnë vetëm paratë e buxhetit

Buxheti i shtetit i vitit 2017 ka planifikuar në Kodin 40 të tabelës së buxhetit plot 300 milionë lekë për partitë politike shqiptare. Kësaj shume i shtohet një tjetër shumë, por jo me ligj. Që prej vitit 2009 e këtej, Këshilli i Ministrave akordon një shumë prej 65 milionë lekë për fushatë, shumë, e cila ndahet nga KQZ sipas formulës që parashikon Kodi Zgjedhor.
Për ta kuptuar më shqip, kjo shumë, pra 365 milion lekë, ose 3,6 miliardë lekë, siç shqiptarët e kuptojnë më mirë, e harxhuar për politikën, është e barabartë me shpenzimet e Institutit të Sigurimeve Shqipërore për pensionet e 637 mijë pensionistëve për katër vite të plota të marra së bashku.
A ia vlen që partitë të gëlltisin kaq shumë para nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Gjykata Kushtetuese ka paraparë të nevojshme të sqarojë një ekuilibër të brishtë midis nevojës për të financuar partitë politike nga njëra anë dhe seriozitetit të veprimtarisë së tyre nga ana tjetër me qëllim që ky financim të vlejë si një e mirë publike në shërbim të qytetarëve.
Ndërkohë që Ligji “Për Partitë Politike” parashikon se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje.
Hidhini një sy kësaj tabele. Është tabela paraprake e KQZ për zgjedhjet 2017. Nga 18 parti politike garuese, 12 prej tyre kanë marrë më pak se 0,5 për qind. Mendoni se sa do të rriteshin pensionet e një viti nëse këto parti, që nuk fitojnë asgjë në elekorat, të mos fitonin asnjë qindarkë edhe nga buxheti i shtetit, pra nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Me të drejtë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vëren se, edhe pse në parim mbështetja financiare e shtetit ndaj partive politike ka rëndësi në një shtet të së drejtës, kjo megjithatë nuk nënkupton që ajo nuk ka kufij. Gjykata vlerëson se kjo mbështetje financiare e shtetit mund të kufizohet mbi bazën e kontributit të partive politike. Ka ardhur koha që mazhoranca qeverisëse të merret seriozisht edhe me financimin miliardësh të partive politike, që nuk del se janë pikërisht të tilla!

Sicred