KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Parlamenti Maqedonas, miraton ndryshimet kushtetuese
Parlamenti Maqedonas, miraton ndryshimet kushtetuese

Parlamenti Maqedonas, miraton ndryshimet kushtetuese

Me 81 vota pro, parlamenti maqedonas miratoi mbrëmjen e kësaj të premteje ndryshimet kushtetuese të cilat finalizojnë ndryshimin e emrit të vendit nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut, sipas marrëveshjes së arritur në Prespë me Greqinë. Numri i nevojshëm i votave për kalimin e ndryshimeve u sigurua pas arritjes së një marrëveshjeje mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kreut të Lëvizjes Besa , Bilal Kasami. Ndryshimet u mbështetën edhe nga tetë deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE, të cilët u shprehën më parë se marrëveshja mes Zaev dhe Kasamit ishte e pranueshme. Ndërkohë, deputetët e tjerë të VMRO-DPMNE nuk ishin të pranishëm në sallë në momentin e votimit, duke e justifikuar këtë veprim me faktin se nuk dëshironin të legjitimonin ndryshimin e kushtetutës së vendit. Kreu i kësaj partie, Hristjan Mickoski e ka konsideruar votimin e së premtes si akt tradhëtie, ndërsa ka shfrytëzuar rastin për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Votimi i sotëm në parlamentin maqedonas u përshëndt nga kryeministri Grek Aleksis Cipras,. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogerini, si dhe komisioneri për zgjerim Johanes Hahn vlerësuan miratimin e ndryshimeve kushtetutese, duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e tyre për marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë, që sipas tyre mund të shërbejë si shembull pajtimi në rajon dhe Europë. Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg theksoi se NATO mbështet fuqishëm procesin e zbatimit të marrëveshjes që sjelle stabilitet dhe begati në rajon.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com