KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Parlamenti australian, senatorja e ekstremit të djathtë paraqitet me burka

Parlamenti australian, senatorja e ekstremit të djathtë paraqitet me burka

Kryetarja e “One Nation”, parti e ekstremit të djathtë në Australi, është paraqitur në parlament e veshur me burka. Paraqitja e Polin Henson në sallën e seancave ka tronditur senatorët, ndërsa partia e saj ka kërkuar që të ndalohet kjo veshje islame në territorin e vendit. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Henson shkruajti se nevoja për të ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës në publik, është një çështje e rëndësishme me të cilën po përballet Australia moderne.
Xhorxh Brendis, udhëheqësi i qeverisë në senat, e dënoi këtë veprim të Henson, duke e paralajmëruar atë se po fyente grupet fetare. Fjala e Brendis mori edhe duartrokitjet e partive të opozitës. Në një fjalim emociional, zoti Brendis u shpreh se veprimet e kryetares së “One Nation” rrezikonin të armiqësonin rreth 500 mijë australianë të cilët i përkasin besimit islam. “Të tallesh me këtë komunitet, ta çosh atë në cep, të përqeshësh veshjet e tyre fetare është diçka e tmerrshme, dhe do ju kërkoja të reflektonit për këtë që bëtë. Jo senatore Henson, ne nuk do ta ndalojmë burkën!”, tha Brendis, i cili gjithashtu është kryeprokuror i Australisë.
Zonja Henson vazhdimisht ka tërhequr kritika qëkur u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 1996. Në 2016-ën, ajo u shpreh se Australia po fundosej nga muslimanët. Dy muaj më parë, ajo gjithashtu u përball me thirrje për të kërkuar falje pasi ishte shprehur që studentët me autizëm nuk e kishin vendin në klasat shkollore.

Sicred