KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, situata e krimit në vend përplas fort Bashën me Ramën

Parlament, situata e krimit në vend përplas fort Bashën me Ramën

Marrëveshja e ekstradimit mes Shqipërisë e Mbretërisë së Bashkuar, sipas kryetarit të opozitës Lulzim Basha, do të mbetet vetëm në letër. Minutazhin e tij për diskutim në seancë plenare lidhur me këtë marrëveshje, zoti Basha e ka përdorur për të lëshuar akuza ndaj mazhorancës, se e ka kthyer Shqipërinë në një vend të përfshirë nga krimi. “Dy arsye pse krimi shqiptar ka lulëzuar në Shqipëri dhe kudo në Europë këto katër vite. Arsyeja e parë është lejimi i qëllimshëm i klutivimit të drogës në Shqipëri. Arsyeja e dytë është kthimi i Shqipërisë në një strehë të sigurtë të kriminelëve shqiptarë të kërkuar në Europë” tha zoti Basha. Sipas tij “Shqipëria nuk do të marri ftesë për hapjen e negociatave në fund të këtij viti dhe nuk do të marri as më vonë nëse nuk zgjidh pengesën kryesore të integrimit: krimin dhe drogën dhe në veçanti lidhjet qeveritare të krimit dhe drogës”.
Edhe një herë Basha ka përmendur emra konkretë të personave që i cilëson si të inkriminuar duke kërkuar njëkohësisht shkarkimin e tyre nga postet ku janë vendosur.
Por në reagimin ndaj akuzave të Bashës, kryeministri Edi Rama tha se është opozita ajo që po lobon për krimin duke u bërë qesharake edhe në sytë e kancelarive të botës. “Çfarë jeni ju që nuk dini të ndani Europën e vlerave me disa rracistë në politikën e sotme europiane që synojnë as me shumë e as më pak, por kundërvënien ndaj projektit të Europës” tha zoti Rama. “Të bësh politikë me krimin është të bësh lobimin e krimit. Dhe ju këtë keni katër vjet e kusur që bëni dhe për këtë atsye jeni këtu” ju drejtua ai opozitës. “E kuptoni sa qesharak po e bëni rolin e opozitës? Ejani në vete dhe të debatojmë këtu për gjërat që bëjnë sens. Mos na vazhdoni me këto përralla
se realisht ne kemi nevojë që ju të na sfidoni” shtoi kryemininistri.
Një përgjigjie ka ardhur edhe nga ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili lidhur me ngjarjen kriminale të Elbasanit, tha se është rrjedhojë e krimeve të kryera ndër vite brenda dhe jashtë Shqipërisë të cilat do të merren në analizë. Por duke marrë shkas nga kjo Xhafaj tha se këto banda do të goditen në bazë. “Kam kërkuar të analizoj jo vetëm dhe thjesht ngjarjen e ndodhura, por një analizë shumë më të plotë, që të nxjerr në pah shkaqet e vërteta të situatës kriminale lidhur me këto dy grupe kriminale Çelajt dhe Çapjet” tha zoti Xhafa. “Në këto ngjarje policia nuk duhet lënë vetëm. Ajo duhet të vazhdojë të godasi grupet kriminale duke rihapur shumë shpejt disa procese të ndjeshme për publikun. Policia do të vazhdojë të godasi akoma më fortë bazën ekonomike të këtyre grupeve se sa është duke bërë këto ditë” shtoi ministri i brendshëm.
Zoti Xhafaj theksoi se objektiv prioritar për të gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i brendshëm është të vërë para drejtësisë, krerët e grupeve kriminale.

Sicred