PD e opozitës kërkon që parlamenti të shqyrtojë dhe miratojë në seancën e të enjtes projektrezolutën “Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut”. Kjo bëhet e ditur në një letër që kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka i ka dërguar kryetarit të parlamentit Ilir Meta, vetëm një ditë para seancës. Duke kujtuar persekutimin e klerit shqiptar nga regjimi komunist, zoti Paloka shkruan se grupi parlament i PD vlerëson të domosdoshme që parlamenti shqiptar “të dënojë në mënyrë të posaçme krimet që regjimi komunist ka bërë ndaj klerit në Shqipëri”.
Kërkesa e opozitës vjen ndërsa më 5 nëntor pritet të kremtohet lumturimi dhe lartësimi i 38 martirëve të ekzekutuar gjatë regjimit komunist. Procesi dioqezan i filluar me 10 nëntor 2002 e mbyllur me 8 dhjetor 2010, u analizua nga ekspertet e Kongregatës për Çështjen e Shenjëtorëve dhe me dekretin që Papa Françesku firmos më 26 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë. Vendi i kremtimit do të jetë Sheshi i Katedralës së Shën Shtjefnit në Shkodër, ndërsa riti i Lumturimit do të udhëhiqet nga Prefekti për Çështjen e Shenjtërve, Eminenca e tij Kardinal Angelo Amato.
