KRYEFAQJA » LAJME » Papa në “Urbi et Orbi” jep mesazhe për paqe në Jeruzalem dhe kudo në botë

Papa në “Urbi et Orbi” jep mesazhe për paqe në Jeruzalem dhe kudo në botë

Në mesazhin e tij tradicional “Urbi et Orbi” (për qytetin e Romës dhe për Botën) në Sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, Papa Francesku u lut sot për paqen në Jeruzalem si dhe besimin e ndërjsellë në gadishullin korean, ndërsa e vuri theksin tek fëmijët që vuajnë nga konfliktet e ndryshme në botë.
Papa Francesku foli për tensionet në rritje mes Izraelit dhe palestinezëve, duke shpresuar se vullneti për të rifilluar dialogun të prevalojë mes palëve dhe që të arrihet një zgjdhije e negociuar e cila do të lejonte bashkëjetesën paqësore të dy shteteve. “Le të lutemi që konfrontimi të mbarojë në gadishullin korean dhe që besimi i ndërsjellë të rritet në interes të gjithë botës” theksoi papa.
Ndërsa, në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, Papa Francesku u kërkoi katolikëve të mos injorojnë miliona migrantë që janë dëbuar nga vendi i tyre, duke i krahasuar ata me Marian dhe Jozefin, të cilët udhëtuan nga Nazareti në Betlehem, por nuk gjetën asnjë vend ku të rrinin. “Shumë migrantë, u shpreh Papa, janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të liderëve të cilët nuk e kanë aspak problem të derdhin gjak të pafajshëm”.
Ati i shenjtë e ka bërë mbrojtjen e emigrantëve në botë, një temë kryesore të papatit të tij. Numri i refugjatëve në botë kalon shifrën e 22 milionë personave, përfshi edhe fluksin e fundit të Rohinxhave të cilët largohen nga dhuna në Mianmar. “Shumë gjurmë të tjera janë fshehur në hapat e Jozefit dhe Marias” u tha Papa argjentinas, nip i migrantëve italianë, besimtarëve në katedralen e Shën Pjetrit në Vatikan. “Ne shohim gjurmët e miliona personave që nuk zgjedhin vetë të largohen nga vendi i tyre, por dëbohen që atje dhe lënë pas njerëzit e dashur” vijoi ai. Lideri i 1.2 miliardë katolikëve në mbarë botën gjithashtu theksoi se besimi kërkon që të huajt të priten mirë gjithandej.

Sicred