KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Papa Françesku në Mianmar javën e ardhshme

Papa Françesku në Mianmar javën e ardhshme

Papa francesku do të vizitojë Mianmarin javën e ardhshme, një udhëtim ky që konsiderohet si delikat për kreun e Kishës Katolike, pasi ai zhvillohet në një vend me mazhorancë budiste dhe që është akuzuar nga Uashingtoni për spastrim etnik të ndërmarrë ndaj minoritetit musliman të Rohinxhave. Ati i Shenjtë do të vizitoje edhe Bangladeshin, ku do të takohet edhe me refugjatë Rohinxha, të larguar nga vendlindja e tyre, Arakani, në Mianmar, pas atyre që Amnesty International i ka konsideruar si krime kundër njerëzimit të kryer nga ushtria e Mianmarit ndaj tyre. Udhëtimi është aq delikat sa mediat raportojnë se këshilltarët e Papës e kanë paralajmëruar atë që as të mos e përmend fjalën Rohinxha, pasi mund të shkaktojë një incident diplomatik që do ta kthente ushtrinë dhe qeverinë e Mianmarit kundër minoritetit kristian në atë vend. Momentet më të tensionuara të vizitës që zhvillohet nga 26 nëntori deri në 2 dhjetor, do të jenë takimet private me kreun e ushtrisë së Mianmarit si dhe lideres së atij vendi. Sipas agjencisë së lajmeve Rojters, Mianmari nuk i njeh Rohinxhat si qytetarë të tij dhe as si grup me identitet, dhe kjo mund të përbëjë një dilemë për papën, ndërsa do të vizitojë vendin me 51 milionë banorë, ku vetëm 700 mijë janë katolikë. Në një video mesazh për Mianmarin, Papa Françesku u shpreh se dëshironte që udhëtimi i tij të kontribuonte për pajtimin, faljen dhe paqen si dhe për të zhvilluar më tej mësimet e ungjillit për dinjitetin e çdo burri dhe gruaje. Papa e ka përdorur dy herë fjalën Rohinxha këtë vit gjatë thirrjeve të bëra nga Vatikani, por pyetjes nëse ai do ta përdorë atë kur të jetë në Mianmar, zëdhënësi i Vatikanit iu përgjigj se Ati i Shenjtë po e merrte këshillën shumë serioizisht, duke shtuar më pas se fundja fjala nuk ishte diçka e ndaluar, por për të do të vendosej gjatë udhëtimit.

Sicred