KRYEFAQJA » LAJME » Panuçi: Ndaj Turqisë për të fituar e për të provuar

Panuçi: Ndaj Turqisë për të fituar e për të provuar

Një ndeshje për t’u fituar, por edhe për të hedhur themelet e edicionit të ardhshëm të Eliminatoreve të Evropianit 2020. Kështu e ka cilësuar trajneri Kristian Panuçi miqësoren e së hënës me Turqinë. “Sa i përket ndeshjes së të hënës, ne padyshim duam ta fitojmë atë, sepse është një provë e mirë për ne. Puna jonë për Eliminatoret e ardhshme nis që në Antalia dhe vazhdon deri në qershor dhe ne do të presim të shikojmë të gjithë lojtarët që mund të na shërbejnë në kauzën e madhe të Kombëtares.” I pyetur nga RTSH Sport gjatë konferencës për shtyp dhënë të dielën, trajneri italian i kuqezinjëve vlerësoi  formën dhe impenjimin që kanë treguar futbollistët gjatë kësaj jave në stërvitje. “Kemi punuar mirë gjatë kësaj periudhe. Këto kanë qenë ditë intensive për ekipin. Kemi punuar në të gjitha aspektet, dhe jam i kënaqur me atë që djemtë kanë treguar në stërvitje, duke ditur se kjo është një periudhë e ngjeshur edhe me klubet e tyre. Dua të falenderoj futbollistët e mi të cilët janë treguar shumë profesionistë, kanë punuar me seriozitet të plotë dhe janë stërvitur mirë edhe pse bëhet fjalë vetëm për një ndeshje miqësore.” 3 futbollistë kuqezi, Strakosha, Basha dhe Latifi u larguan të dëmtuar nga grumbullimi i Kombëtares, por Panuçi fajësoi klubet për një gjë të tillë. “Duhet të jemi profesionistë. Lojtarët e dëmtuar duhet të sjellin një rezonancë apo një eko me vete. Mjeku i ekipit kombëtar duhet ta vlerësojë nëse është i gatshëm për lojë apo jo. Federata në këtë rast ka vepruar në mënyrë profesionale. Për Bashën kemi telefonuar stafin mjekësor të Barit por askush nuk na është përgjigjur. Strakosha ishte rast i veçantë, pasi këtë të enjte iu shfaqën probleme të vjetra të dëmtimit. Ndërsa kur pyesja Latifin, më përgjigjej se ishte mirë, por mesa pamë, nuk ishte në gjendje të luante.” Takimi miqësor Turqi-Shqipëri do të luhet të hënën në Antalja dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:30.

(Visited 40 times, 1 visits today)
Sicred