KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Panair për studentët e huaj në Shqipëri, si ndihen ata në vendin tonë?

Panair për studentët e huaj në Shqipëri, si ndihen ata në vendin tonë?

Jo vetëm shqiptarët shkojnë për studime jashtë Shqipërisë. Ka edhe studentë të huaj që studiojnë në Shqipëri. Ose me studimeve universitare me kohë të plotë, ose si pjesë e programeve të pjesshme studimore. Që sot Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor në Shqipëri kanë përfaqësuar vendet e tyre nëpër stenda në panairin “Harmonia e kulturave”, zhvilluar në Tiranë. Të rinj nga Shqipëria, Kosova, Italia, Turqia, Polonia, Egjipti, Irlanda, Kanadaja, SHBA, Palestina etj. E nëse sipas Elsa Ballaurit kemi edhe probleme me njëri-tjetrin, me të huajt duket se i sheshojmë ato. Studentët e huaj që jetojnë në Shqipëri shprehen entuziastë për përvojën e tyre në vendin tonë, ku, siç thonë ata “ndihen si në shtëpi”. Por me çfarë ndiejnë ata se pasurohen, zhvillohen prej kulturës së vendit tonë dhe anasjelltas, me çfarë ata mendojnë se na pasurojnë ne? Ja se si u shprehën për mikrofonin e RTSH:

“Gjej shumë aspekte interesante në Shqipëri, sepse nëse holandezët, gjermanët janë njerëz shumë të planifikuar, sepse një mik duhet ta telefonosh dy javë përpara për të pirë një kafe, në Shqipëri gjen të gatshëm menjëherë, jeni shumë spotanë dhe spontaniteti më gëzon shumë këtu. Por kjo ka edhe të keqen e vet, sepse spontaniteti të bën të jesh jokorrekt. Edhe planifikimi është gjë e mirë.”

“Jam duke studiuar në një univesitet biznesi në Tiranë. Këtu ndihem si në shtëpinë time. Njerëzit janë shumë të mirë me mua. Më parë s’dija asgjë për Shqipërinë. Universitetin e gjeta në internet e më duhej të zgjidhja mes Shqipërisë dhe Turqisë, por zgjodha Shqipërinë. Solla edhe vëllanë këtu, që ishte me studime në SHBA.”

“Edhe unë studioj për biznes në Tiranë. Jam këtu prej 4 muajsh. Ndihem mirë. Njerëzit janë shumë ndihmues. Edhe shumë i sigurt ndihem këtu. Çdo gjë më pëlqen. Për sa i përket kulturave, mendoj se nuk ka ndryshime të mëdha mes kulturës suaj dhe tonës.”

“Kur kam qenë nën shërbimin ushtarak amerikan, kishte ushtarë me origjinë nga Palestina, Iraku, Gana, Afrika, Azia, unë isha shqiptar. Të gjithë e mbanim entuziazmin lart, si një shpirt i përbashkët, që të bënim më të mirën. Mendoj se kultura amerikane ndryshon nga gjithë pjesa tjetër e botës.”

“Në Shqipëri na pëlqen më shumë moti, ushqimi që është i freskët, transporti me autobus, mundësitë për të ecur më shumë në këmbë dhe destinacionet turistike që ka Shqipëria.”

“Është shumë bukur kur gërshetohen kulturat, sepse gërshetohen idetë, njerëzit bashkohen e pasurohen prej njëri-tjetrit, bëhen më humanë. Nuk mund të të jetosh në një vend e të mendosh se përtej tij nuk ka asgjë tjetër. Këtu në Shqipëri kam mësuar respektin për fenë, gjë për të cilën jeni shembull në gjithë botën. Gjithë këta studentë që janë këtu janë shembull se si në Shqipëri jetohet mirë dhe se bashkimi bën fuqinë. Ka gjithmonë e më shumë studentë italianë në Tiranë. Me çfarë e pasuroj unë si italian, si arbëresh Shqipërinë? Me entuziazmin tim!”

Sicred