KRYEFAQJA » LAJME » Pakult kritikoi lojtarët e tij për lojën që bënë në ndeshjen me Kamzën

Pakult kritikoi lojtarët e tij për lojën që bënë në ndeshjen me Kamzën

Ndeshja kryesore e javës së 29-të të kategorisë superiore është ajo midis Kukësit dhe Partizanit. Të dyja skuadrat pozicionohen në vendin e dytë dhe të tretë në renditje me 6 pikë diferencë. Me ardhjen e Dalipit në krye, Partizani ka arritur rezultate të mira, por ky fakt nuk e tremd aspak trajnerin e Kukësit, Pakult. “Partizani ka ndryshuar me ardhjen e trajnerit Dalipi, ka bërë ndeshje të mira ku ka marrë edhe rezultate. Por ky fakt nuk na frikëson aspak. Ne nuk kemi frikë as nga Partizani dhe as nga ndonjë skuadër tjetër. Sepse nëse një skuadër hyn me frikë në fushë atëherë ajo nuk është e tillë e rezultati patjetër që do të jetë negativ” tha trajneri Kukësit Pakult. Edhe pse fituan me Kamzën javën e kaluar, Pakult nuk është aspak i kënaqur me lojën që ka bërë skuadra e tij.  “Kam folur me ekipin këtë javë pasi ndeshjen e kaluar nuk më ka pëlqyer aspak. Kemi patur probleme dhe unë u kam tërhequr vëmendjen lojtarëve. Kampionati nuk ka mbaruar. Iu kam thënë shembullin e Flamurtarit, i cili ishte shumë mirë dhe në vend të dytë në fillim ndërsa tani është në krizë. Pra nuk dua që edhe ne të na ndodhë e njëjta gjë. Duhet të luftojmë njësoj deri në fund të kampionatit me të gjitha skuadrat”. Pakult është i bindur se me kualitetet që ka skuadra e tij mund të marrë tri pikët ndaj Partizanit. Për këtë ka kërkuar ndihmën e lojtarëve me përvojë, të cilët duhet ta udhëheqin skuadrën drejt fitores. “Kemi kualitete për ta mundur Partizanin. Por gjithnjë nëse do të luajmë më mirë se në ndeshjen e kaluar. Dua që lojtarët më me përvojë ta udhëheqin ekipin drejt fitores. Eshtë një moment kyç i kampionatit ndaj nuk na lejohen gabimet. Duhet që çdo gjë ta arrijmë me forcat tona pasi askush nuk të fal gjë” tha më tej Pakult. Kukësi do të vuajë mungesën e katër futbollistëve kryesorë në sfidën ndaj Partizanit, Shameti, Alla, Balde dhe Kale. Alternativë e vetme në sulm mbetet Guri. Ndeshja Kukësi-Partizani luhet të shtunën në orën 16.00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti i radiotelevizionit shqiptar.

(Visited 16 times, 1 visits today)