KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Paketa fiskale 2018: Taksa e pronës 0.05% për banesat, 0.15% për bizneset

Paketa fiskale 2018: Taksa e pronës 0.05% për banesat, 0.15% për bizneset

Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm qytetarët dhe bizneset do të paguajnë taksë mbi pronën mbi bazën e vlerës reale të ndërtesës. Drafti i paketës fiskale 2018 zbulon për herë të parë së taksa mbi pasurinë do të rritet për qytetarët dhe do të pësoje ulje të ndjeshme për bizneset. Konkretisht nga viti i ardhshëm taksa mbi ndërtesat për banim do të jetë 0.05% e vlerës reale të ndërtesës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.15%. E thënë ndryshe, për një apartament që vlen 100 mijë euro do të paguhet 50 euro taksë prone në vit ose 6670 lekë . Kjo shumë do të ndahet në 12 muaj të vitit, përkatësisht rreth 600 lekë çdo muaj të cilat do të mblidhen më shumë gjasë tek fatura e energjisë elektrike. Ndërsa për një biznes më të njëjtën vlerë taksa do të jetë 150 euro në vit. Nga ana tjetër, drafti përjashton nga kjo taksë pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara; banesat sociale në pronësi të bashkive dhe pasuritë e paluajtshme që përdoren nga bashkitë si banesa sociale. Po ashtu drafti përjashton nga taksa e pasurisë të gjitha ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare. Qeveria ka të paktën dy vite konsultime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për vendosjen e taksës mbi pronën sipas vlerës reale të tregut. Sipas FMN-së, vlera e taksës mbi pronën duhet të jetë nga një minimum prej 0.075% të vlerës deri në maksimumin prej 0.15% të vlerës së pronës. Taksimi duhet të niste me katër nga qarqet më të mëdha në vend, konkretisht Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier. Por financat në ligj parashikojnë që taksa të shtrihet në të gjithë vendin dhe vlera të jetë shumë herë më e ulët se propozimi i FMN-së.