KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » OSHEE me bilanc pozitiv

OSHEE me bilanc pozitiv

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi se humbjet e energjisë ranë në 25.4 për qind në gjysmën e parë të vitit duke shënuar nivelin më të ulët në shumë vite. “Treguesi kryesor, niveli i humbjeve në rrjet, periudha janar-qershor 2018, ka shënuar nivelin e 25.4 nga 28.6% që ishte në 2017, për të njëjtën periudhë, ndërkohë para nisjes së reformës, niveli i humbjeve ishte 45.3%.” i tha RTSH Elton Sevrani, Drejtor i Divizionit OSHEE.
Nga ana tjetër edhe arkëtimet janë rritur përgjatë gjysmës së parë të këtij viti, duke shënuar vlerën e 33.4 mld lekëve. “Në lidhje me arkëtimet, totali si 6-mujor i parë 2018 arriti në 33.4 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë më tepër se ne 2017, pra me rritje 4.7%. Normës së Arkëtimit ndaj faturës pararendëse, e cila në 6-mujorin 2018 arriti 101.2% (për disa vite ka qenë rreth 70%),me rritje në masën 2.8% në raport me 6-mujorin 2017” tha ai.
Të dhënat e kompanisë tregojnë se edhe numri i ankesave ka rënë krahasuar me një vit më parë. Përgjatë periudhës Janar- Qershor OSHEE ka regjistruar 25 mijë ankesa nga qytetarët nga 40 të tilla një vit me parë. “Ankesat lidhen kryesisht me faturimin, por përgjatë viteve të shkuara, 2007-2013. Ndërkohë është rritur zgjidhshmëria e ankesave të qytetarëve” tha zoti Sevrani.
Një vit më parë, situata e vështire hidrike e detyroi Operatorin e Shperndarjes të blente miliona euro energji nga jashtë, me çmime të larta. Këto importe të detyruara ishin një goditje jo e vogël për bilancin e Operatorit të Shpërndarjes dhe të të gjithë sistemit energjetik që rigjeti stabilitetin këtë vit falë situatës së mirë hidrike.

Sicred