KRYEFAQJA » LAJME » OSBE-ja organizon vizita rajonale për transmetuesin publik shqiptar
RTSH qëndron jashtë debatit politik dhe luftës mes partive

OSBE-ja organizon vizita rajonale për transmetuesin publik shqiptar

Drejtues të lartë të transmetuesit publik shqiptar RTSH, përfunduan ditët e fundit një vizitë treditore në transmetuesin publik të Sllovenisë. Vizita u organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe nga Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU), si pjesë e përpjekjeve të tyre për të ndihmuar në shndërrimin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) në një transmetues vërtet publik.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe homologu i tij slloven, Marko Filli, diskutuan për krijimin e redaksive të integruara të lajmeve – ku gazetarët e televizionit, radios dhe të medias online punojnë së bashku.
Drejtuesit e lajmeve dhe të marketingut të të dy transmetuesve shkëmbyen përvojat e tyre sa i përket shfrytëzimit sa më të mirë të burimeve që kanë në dispozicion në sigurimin e standardeve profesionale dhe gjenerimin e të ardhurave. Përfaqësuesit e Radio Televizionit slloven ndanë me vizitorët strategjinë e tyre të komunikimit dhe planin e biznesit, si dhe instrumentet për sigurimin e një pozicionimi sa më të mirë të transmetuesit publik në peizazhin mediatik në vend.
Transmetuesi Publik Shqiptar është në procesin e transformimit në një transmetues publik të pavarur, profesional, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, me ndihmën e Prezencës së OSBE-së dhe EBU-së. Në nëntor 2016, me ekspertizën teknike të OSBE-së dhe EBU-së, RTSH përgatiti standardet e para editoriale dhe ndryshime në statut, bazuar në modelin slloven.
Më 8-9 dhjetor 2016, drejtues dhe gazetarë të Radio Tiranës, vizituan Radion e Malit të Zi me qëllim rigjallërimin e shkëmbimit të programeve mes dy transmetuesve. Vizita e kthimit do të zhvillohet më 16-17 dhjetor, në Tiranë. Këto vizita organizohen nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Misioni i OSBE-së në Malin e Zi, në dritën e një memorandumi mirëkuptimi nënshkruar mes dy transmetuesve në vitin 2014.

Sicred