KRYEFAQJA » LAJME » Orkestra Simfonike e RTSH nderohet me “Nderi i Kombit”
Orkestra Simfonike e RTSH nderohet me “Nderi i Kombit”

Orkestra Simfonike e RTSH nderohet me “Nderi i Kombit”

Data 16 maj i vitit 1962 është dhe do të mbetet një nga data më të shënuara në historinë e Radio Televizionit Shqiptar. Ajo lidhet me krijimin e formacionit orkestral më të madh të kohës, Orkestrën Simfonike të Radios dhe Kinematografisë siç quhej në atë kohë, Orkestrës Simfonike të RTSH siç njihet sot.
Koncerti i parë u realizua më 20 gusht të po atij viti nën dirigjimin e Mustafa Krantjes dhe u luajtën vepra të Haydn, Mendelssohn dhe Mozart.
Në këtë përvjetor të 55 të krijimit të Orkestrës Simfonike, Presidenti Bujar Nishani e vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit”. Drejtuesi i këtij institucioni Thoma Gëllçi u shpreh se krijimi i saj shënoi një epokë të re në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri. “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë, nën drejtimin e dirigjentëve Simon Gjoni, Ferdinand Deda dhe Eno Koço, do të fitonte shumë shpejt këtë emër dhe autoritet, në qarqet artistike të vendit. Ajo ç’ka vlen të theksohet me këtë rast jubilar është se krijimi i këtij formacioni të madh muzikor solli një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të menjëhershëm në zhvillimin muzikor në të gjithë vendin me ekzekutimet dhe regjistrimet në atë kohë, të simfonive të para të Abdulla Grimcit, Vath Çangut e më pas veprat e kompozitorëve të tjerë të cilët u bënë dhe udherrëfyesit e zhvillimit muzikor në vënd si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Tish Daija, Kozma Lara, Pjetër Gaci, Nikolla Zaraqi, Limoz Dizadari, Kujtim Laro, Thoma Gaqi etj”, tha drejtori i përgjithshëm i RTSH-së.
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, ka treguar nivelin e saj te lartë dhe në koncertet e dhëna jashtë vendit ku është përballur me publik të huaj të cilët e kane duartrokitur gjatë, si në Turqi, Itali, Greqi, në konkurrimin Evropian të orkestrave simfonike organizuar në Mal të Zi (Podgorice) pa përfshirë këtu dhe koncertet e dhëna në Prishtinë e më gjërë, apo në Ohër të Maqedonisë, ku veçanërisht kritika muzikore e ka vlerësuar lart nivelin interpretativ të saj.
Aktiviteti artistik i këtij formacioni vihet re në qindra e mijëra orë transmetimi në radio e TV e kthyer në shirit e CD, në kolona zanore filmash e në sa e sa aktivitete artistike që zhvilluan jetën muzikore në vend si festivalet e këngës në radio, aktivitete kombëtare artistike, koncertet e përjavshme që transmetohen nga RTV publik shqiptar në çdo kohë etj.
Gjatë këtij aktiviteti jubilar, sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Florian Nuri, dorëzoi në emër të institucionit të Presidentit të Republikës, dekoratën “Nderi i Kombit”, Orkestrës Simfonike të RTSH për “ kontributin e çmuar dhe të padiskutueshëm të këtij formacioni të madh muzikor me interpretimet e shkëlqyera për më shumë se gjysmë shekulli, duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të patjetërsueshëm në zhvillimin muzikor në mbarë vendin si dhe duke mundësuar zhvillimin kulturor të popullit shqiptar”.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit”, Ferdinand Dedën (pas vdekjes), “Për kontributin shquar shumëvjeçar artistik si dirigjenti i mirënjohur i Orkestrës Simfonike, brenda dhe jashtë vendit. Kompozitor virtuoz dhe i vlerësuar nga mbarë publiku shqiptar në shumë zhanre muzikore dhe si interpretues i paharruar dhe fitues i shumë festivaleve të këngës së lehtë shqiptare”.
Presidenti Nishani ka vlerësuar me dekoratën “Nderi i Kombit” dirigjentin Eno Koço për “Kontributin e tij të paçmueshëm shumëvjeçar artistik si dirigjent i disa orkestrave brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe në vlerësim të merituar shtetëror për punën e palodhur studimore dhe hulumtuese në fushën e muzikologjisë dhe historisë së artit muzikor duke ngritur lart në vite, vlerat e muzikës shqiptare në sfondin e muzikës botërore”.

Sicred