KRYEFAQJA » LAJME » Opozita fton shqiptarët në protestë, Basha: Të mbyllim një herë e mirë kapitullin e krimit në Shqipëri

Opozita fton shqiptarët në protestë, Basha: Të mbyllim një herë e mirë kapitullin e krimit në Shqipëri

Opozita shqiptare u ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen në një protestë sipas saj për të larguar nga pushteti kriminelët. Thirrja është bërë publike për mediat pas mbledhjes së partive aleate në selinë e PD. “Opozita e Bashkuar i fton të gjithë qytetarët shqiptarë, demokratë e socialistë, të bashkohemi në protestën më të madhe. Ju ftoj të protestojmë për largimin nga pushteti të kriminelëve” tha kreu i PD Basha në deklaratë. Në fokus ishte qëndrimi i njohur i opozitës ndaj dy figurave të njohura të ministrisë së brendshme, ish ministrit Tahiri dhe ministrit aktual Xhafa. “Ne i ftojmë qytetarët për të protestuar për drejtësi të vërtetë dhe jo fallso. Për drejtësi të barabartë për të gjithë. Për drejtësi që nuk kursen asnjë politikan. Të gjithë ne pavarësisht kujt parti i përkasim, pavarësisht se ku jetojmë, pavarësisht se në çfarë besojmë, jemi në rradhë të parë shqiptarë” tha zoti Basha. “Mbi të gjitha ne duam Shqipërinë. Një Shqipëri pa krim, një Shqipëri pa drogë. Një Shqipëri europiane. Një Shqipëri ku ka mundësi dhe dinjitet për të gjithë” shtoi ai.
Për kreun e opozitës “Ne nuk mund të humbasim më kohën dhe energjitë tona çdo ditë duke u marrë me kriminelin e radhës në politikë. Është koha t’u themi sot ndal të gjithë politikanëve të lidhur me krimin. Është koha që të mbyllim një herë e mirë kapitullin e krimit në Shqipëri”.

Sicred