KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Papa Francesku në mbrojtje të minoritetit musliman të Rohinxhave në Mianmar
Papa Frances, Persekutimi i minoritetit musliman, të Rohinxhave në Mianmar

Papa Francesku në mbrojtje të minoritetit musliman të Rohinxhave në Mianmar

Papa Francesku ka apeluar sërish këtë të dielë për respektimin e të drejtave të minoritetit Rohinxha në Mianmar. Gjatë lutjes Anxhelus të së Dielës, Papa tha se po ndiqte me trishtim lajmet e persekutimit të vellezërve dhe motrave tona Rohinxha, sic u shpreh ai. “Dëshiroj të shpreh se jam pranë tyre”, theksoi Ati i Shenjtë, ndërsa u kërkoi pelegrinëve në sheshin Shën Pjetër të luten që Zoti t’i shpëtojë Rohinxhat, dhe që atyre t’u jepen të drejtat e plota. Rohinxhat janë një grup etnik indo-arian nga shteti Rahajn në perëndim të Mianmarit. Që kur filluan përplasjet mes komunitetit shetëror budist dhe minoritetit musliman rohinxha, qindra mijëra Rohinxha janë zhvendosur nga banesat e tyre, ndërsa shumë të tjerë janë arratisur nga Mianmari përmes detit me shpresën për t’iu larguar dhunës dhe represionit atje. Shumë nga Rohinxhat që ndodhen në Mianmar nuk njihen si grup i ligjshëm etnik apo qytetarë të Mianmar-it, bile mijëra prej atyre që janë larguar nga Rahajn për në Bangladasheh, kanë treguar histori të tmerrshme përdhunimesh, vrasjesh dhe zjarrëvëniesh nga forcat e sigurisë së Mianmarit. Megjithatë, në Bangladesh, Rohinxhat nuk janë njohur si refugjatë dhe që nga tetori i vitit të shkuar shumë prej atyre që kanë hyrë në atë shtet, janë ndaluar dhe janë detyruar të kthehen sërish në Rahajn. Apeli i Papës vjen pasi numri i vdekjeve vijon të rritet pas përplasjeve të fundit mes Rohinxhave dhe ushtrisë së Mianmarit. Papa Francesku pritet të vizitojë Mianmarin dhe Bangladeshin para krishtlindjes, ku pritet që të drejtat e Rohinxhave të jenë një pikë kyce e bisedimeve që ai do të zhvillojë në këto vende aziatike.

Sicred