KRYEFAQJA » LAJME » Opozita e bashkuar: Duam qeveri antimafia!

Opozita e bashkuar: Duam qeveri antimafia!

Opozita e bashkuar shqiptare u ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen për të detyruar kryeministrin socialist Edi Rama të largohet nga pushteti. Mijëra përkrahës të opozitës mbërritën të shtunën në mesditë para selisë së qeverisë shqiptare me thirrjen “Rama Ik” si lajtmotiv të kësaj proteste. Për afro 90 minuta folës të ndryshëm akuzuan qeverinë socialiste dhe kryeministrin e saj Edi Rama se kanë varfëruar shqiptarët ndërsa kanë pasuruar klanet e tyre. “Nuk duam ta marrim pushtetin me forcë, por shqiptarët të jenë të lirë të zgjedhin pushtetin që duan” tha kreu i opozitës së bashkuar zoti Lulzim Basha. “Në emër të opozitës dhe tuaj, kërkoj largimin e Edi Ramës dhe qeverinë e tij të paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia, që do të luftojë krimin dhe do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo kërkesë, ky akt solemn është vendimi popullor i kësaj proteste tha zoti Basha.
Protesta e opozitës zhvillohet në një kohë kur Shqipëria është në pritje të çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE, ç’ka e ka çuar maxhorancën ta konsiderojë këtë hap të opozitës si një përpjekje për pengimin e integrimit të Shqipërisë, për interesa partiake dhe personale. Sipas maxhorancës protesta ka vetëm një pikësynim mbrojtjen e Lulzim Bashës, krimit shtetëror të 21 janarit 2011, si dhe pengimin e Reformës në Drejtësi.

Sicred