KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Opera Carmen, një triumf magjik tingujsh

Opera Carmen, një triumf magjik tingujsh

Nën ngjyrimet e pasura të tingujve të Bizese në Operan Carmen mbrëmja e së martes ka qënë magjike. Një magji e drejtuar deri në detaje nga baritoni Gëzim Myshketa i cili me regjinë e kësaj premiere që rikthehej në operan shqiptare pas 10 vitesh, ka shënjuar një produksion që ka mbajtur pezull publikun deri në fund të katër akteve të operas. Një mbrëmje që rridhte dhe frymonte liri, ekuilibruar bukur mes sjelljes në kohë nga kostumet e ideuara nga Ardi Asllani (për saktësi janë krijuar 270 kostume për këtë produksion) dhe atmosferës sanguine spanjolle.

Kasti i artistëve drejtuar në përsosmeri për të përçuar tek publiku me të mirën nga vetja vihej re që në aktin e parë të operas. Don Jose, interpretuar nga tenori kilian Giancarlo Monsalve dhe Micaela intepretuar mjeshtërisht nga sopranoja Eva Golemi me një finesë dhe dashuri të pafajshme nga premtimet e fëmijërisë përgatisin skenën për temperamentin vullkanik të ciganes Carmen e cila ringjiti në këtë rol mezzosopranon Vikena Kamenica. Në rolin kryesor Kamenica skenikisht mishëroi ciganen çmendurake që rrëzon në gjunjë meshkujt dhe i merr mendjen Don Josese e po aq matadorit Don Escamillo, një prej roleve të konsideruar kali i betejes në karrierën e baritonit Gëzim Myshketa.

Me një hyrje triumfale që ngjasonte më shumë me atë të një rock stari për tu shndërruar në finesë në matadorin e famshëm spanjoll, Myshketa realizon vokalisht personazhin, por pa i humbur asnjë detaj nga tërësia e produksionit. Betejën e burrave për dashurinë e ciganes Carmen e cila dashuron vetëm lirinë, e ndjek amaneti i nënës së Don Jozesë që plotësonte një ëndërr të hershme të aktores së mrekullueshme shqiptare Tinka Kurti për të qënë pjesë e një opere. Dhe ajo ishte aty….tronditëse me lotin që nuk zbret nga syri.

Trupa e baletit plotësonte kuadrin e një produksioni mahnitës që riktheu në skenën shqiptare balerinën e famshme Ambeta Toromani e cila në duetin me Alessandro Macario na rikujtuan finesën dhe dramacitetin që mund të ngërtheje një balet në funksion të veprës. Konceptuar larg flamenkos popullore, por ngjitur në elegancën e tangos koreografia nga mjeshtri Gheorghe Iancu pati aftësinë të na transportonte shpirtërisht ndihmuar edhe nga kori i mrekullueshëm me disa elemente vokale që spikaten.

Konsideruar një nga operat më të bukura në botë kompozuar nga George Bize pak para se të vdiste në moshën 37 vjeçare, Carmen është interpretuar nga yjet më të mëdha në historinë e operas, një luftë për dashurinë dhe lirinë dhe vdekjen tragjike të personazhit kryesor në skenë shënjoi një epokë të re në Operan franceze që fillimisht u konsiderua kontroversale.

Sicred