KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Olimpiada Dimërore, të enjten medaljet në pesë disiplina të tjera
Olimpiada Dimërore, të enjten medaljet në pesë disiplina të tjera

Olimpiada Dimërore, të enjten medaljet në pesë disiplina të tjera

Mari Dorën Habert, Aneis Beskond, Simon Destië dhe Martën Furkade bënë një garë të shkëlqyer si ekip të martën, duke i siguruar Francës medaljen e 5-të të artë në Olimpiadën “Pjongçeng 2018”, atë të fituar në stafetën e përzierë të biatlonit, që konsiston në 2 x 6 km për femra dhe 2 x 7.5 km për meshkuj. Katërshja franceze i përshkoi 27 km e garës në 1 orë, 8 minuta, 34 sekonda e 3 të dhjetat, duke lënë afri 21 sekonda prapa atë norvegjeze, ndërsa 4-shja italiane fitoi betejën me atë gjermane për shkallën e fundit të podiumit, me axurrët vetëm 3 të dhjetat e sekondës më të shpejtë. Dhe, së fundi, në garën e 3,000 metrave stafetë për femra, në disiplinën e  patinazhit të shpejtësisë në akull, kanë qenë 4 sportistet e vendit organizator, Koresë së Jugut, që siguruan të 4-t medalje të artë në këto Lojëra Olimpike. Katërshja e përbërë nga Shim Sukhi, Çoi Min-xheong, Kim Je-xhin dhe Kim Alang ruajtën gjakftohtësinë në një garë të rrëmujshme, duke mbërritur në finish me kohën e përgjithshme 4 minuta, 7 sekonda e 361 të mijtat. Italia e Ariana Fontanës, Luçia Peretit, Sesilia Mafeit dhe Martina Valçepinës, që ishte 8 sekonda prapa mori vendin e dytë, ndërsa skualifikimi fillmisht i Kinës e, më pas, edhe i Kanadasë, nënkuptuan se medalja e bronztë i shkoi Holandës. Deri më tani, Norvegjia dhe Gjermania kryesojnë bashkarisht renditjen e medaljeve të këtyre Lojërave Olimpike Dimërore, teksa kanë mbetur edhe dy ditë garat. Nordikët kanë 13 të arta, 14 të argjendta dhe 10 të bronzta, gjermanët kanë 13 të arta, 7 të argjendta e 6 të bronzta. Kanadaja, me 10 medalje të arta, 8 të argjendta dhe 9 të bronzta mban vendin e 3-të. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Suedia, Franca, Austria, Koreja e Jugut  dhe Zvicra plotësojnë 10-shen e parë, ndërsa janë plot 27 vende, nga 90 pjesëmarrëse, që kanë fituar të paktën një medalje në këtë Olimpiadë.

 

Sicred