KRYEFAQJA » LAJME » Bota » OKB-Sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

OKB-Sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

Ministri i Jashtëm kinez i ka dhënë një mesazh homologut të tij koreano-verior, duke i kërkuar që Peniani t’u japë fund testeve bërthamore dhe atyre raketore, vetëm pak orë pasi sanksione të reja u miratuan nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Uang Ji tha se e kishte nxitur Ri Yong-ho t’u përmbahej rezolutave të Kombeve të Bashkuara në një takim mes tyre të zhvilluar në Filipinë. Megjithatë, kryediplomati kinez nuk ka bërë të ditur sesi i është përgjigjur Ri kërkesës së tij. Rezoluta e së shtunes, që ndalon eksportet koreano-veriore dhe kufizon investimet në vendin e izoluar komunist, u kalua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit. Uang tha se sanksionet ishin të nevojshme, megjithatë ato nuk janë objektivi i fundit, ndaj dhe bëri thirrje për dialog mes palëve. Ai shtoi se i kishte kërkuar Koresë së Veriut të ruante qetësinë e të mos provokonte komunitetin ndërkombëtar me teste të tjera. I dërguari kinez, ndërkohë, u bëri thirrje edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut që të mos rrisin më tej tensionet, duke thënë se situata ndodhej në pikën kritike, ndoshta çasti perfekt për të rifilluar bisedimet. Ambasadorja amerikane në OKB, Niki Halej kishte thënë më herët se Koreja e Veriut po përballet me paketën më të fortë të sanksioneve që u janë vënë ndonjëherë një vendi. Peniani ka testuar dy raketa balistike ndërkontinentale në muajin korrik, duke pretenduar se tashmë ka kapacitetet dhe aftësitë e nevojshme për të goditur Shtetet e Bashkuara.

Sicred