KRYEFAQJA » LAJME » Bota » OKB-sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

OKB-sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

Kombet e Bashkuara kanë miratuar një sërë sanksionesh të reja ndaj Koresë së Veriut, pasi kjo e fundit ndërmori testin e gjashtë bërthamor. Masat kufizojnë importet e naftës dhe ndalojnë eksportet e tekstileve, një përpjekje kjo që pritet ta lërë vendin komunist pa karburant dhe pa të ardhura të nevojshme për programet e tij të armëve. Fillimisht, SHBA-të propozuan sanksione më të ashpra, ku përfshihej edhe ndalimi total i importeve të naftës. Ambasadorja amerikane në OKB, Niki Heili, tha pas votimit se Uashingtoni nuk ka ndonjë kënaqësi për ashpërsimin e sanksioneve. “Ne s’po kërkojmë luftë”, theksoi ajo. Vota e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte unanime pasi aleatët e Penianit, Rusia dhe Kina, ranë dakord për këto masa. Të dy këto vende ritheksuan propozimin e tyre që SHBA-të dhe Korea e Jugut të ndalojnë stërvitjet e tyre ushtarake pasi një gjë e tillë zemëronte Korenë e veriut, si dhe kërkuan që të pushohej zbarikimi i sistemit antiraketor Thaad, në mënyrë që Peniani të ndalonte programet e tij. Një propozim i tillë u konsiderua si fyes nga ambasadorja amerikane. Ndërkohë sanksionet kanë shkaktuar zemërimin e Koresë së veriut. Para votimit, një deklaratë e publikuar nga agjencia e lajmeve të atij vendi paralajmëroi se nëse SHBA-të do të vijonin të insistonin për sanksione më të ashpra, Korea e Veriut do të sigurohej që Amerika të paguante çmimin që meriton për këtë.

Sicred