KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nju Jork, nis punimet Asambleja e Përgjthshme e OKB

Nju Jork, nis punimet Asambleja e Përgjthshme e OKB

Udhëheqësit botërorë do të mblidhen të hënën në Nju Jork, ku nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Pjesa më e madhe e vëmendjes do të jetë te presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do t’i adresohet asamblese më 19 shtator, fjalimi i tij i parë nga zgjedhja  si president i SHBA.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të ketë po ashtu paraqitjen e parë si udhëheqës kombëtar.
Në mesin e atyre që nuk do të marrin pjesë janë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Të dy kanë dërguar ministrat e tyre të jashtëm.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është nisur për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë vizitës, pritet që Thaçi të ketë një takim të shkurtër me Presidentin Trump si dhe te do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Udhëheqësit pritet të përqendrohen në disa nga pikat më të nxehta në botë, ku prioritet përbën Koreja e Veriut me programet e saj me raketa bërthamore dhe balistike. Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe gati të gjitha shtetet individuale kanë dënuar provat raketore të Penianit. E fundit ka ndodhur më 15 shtator, kur Koreja e Veriut ka hedhur një raketë balistike që ka fluturuar mbi Japoni. Këshilli i Sigurimit e ka cilësuar këtë si veprim “shumë provokues”. Megjithatë, nuk ka ende marreveshje se si duhet ndëshkuar Peniani.
Udhëheqësit botërorë përballen po ashtu me krizën humanitare të mbi 400,000 myslimanëve Rohingia, të cilët kanë ikur nga dhuna në Mianmar dhe kanë hyrë në Bangladesh.
Udhëheqësit botërorë do të përpiqen gjithashtu të bindin Presidentin Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015 që synon ta pengojë Iranin të përftojë bomba bërthamore. Ai e ka quajtur marrëveshjen “të tmerrshme” dhe ka kërcënuar se do ta prishë atë.
Terrorizmi dhe ngrohja globale pritet të jenë po ashtu subjekt i diskutimeve të nxehta dhe mosmarrëveshjeve midis liderëve botërorë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i zhvillon punimet deri më 25 shtator.

Sicred