KRYEFAQJA » LAJME » Nju Jork, Greqia dhe Maqedonia nisin bisedimet për çështjen e emrit
Nju Jork, Greqia dhe Maqedonia nisin bisedimet për çështjen e emrit

Nju Jork, Greqia dhe Maqedonia nisin bisedimet për çështjen e emrit

Greqia dhe Maqedonia rifillojnë të mërkurën në Nju Jork negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Negociatat e tanishme fillojnë në një atmosferë të re, kur edhe Athina, edhe Shkupi kanë shprehur vullnetin e tyre për të intensifikuar përpjekjet me synim arritjen e një marrëveshjeje brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Por duket se ky është një pikësynim i vështirë. Në Greqi, aleati i vetëm i koalicionit qeveritar të kryeministrit Tsipras, ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë që emri i propozuar të ketë në përbërje fjalën “Maqedoni” dhe ka kërkuar që në një rast të tillë, të pozicionohen qytetarët në një referendum. Organizata të shumta dhe bashki të Greqisë së Veriut kanë nënshkruar këto ditë peticione ku gjithashtu nuk pranojnë fjalën “Maqedoni”, në kohën që të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe kreu i kishës ortodokse greke. Këtë të diel, në Selanik është paralajmëruar një tubim i madh në mbështetje të këtij qëndrimi, tubim i ngjashëm me ato që zhvilloheshin në fillim të viteve 1990, me pjesëmarrjen e dhjetra mijë vetëve. Mirëpo, negociatori i OKB-së, Methju Nimiç që do të drejtojë negociatat në Nju Jork, ka bërë një deklaratë që i ka pezmatuar gjithë ithtarët e qëndrimit të ashpër në Greqi. Në një intervistë për televizionin grek Antena, mbrëmjen e të martës, Nimiç, la të kuptohet se propozimi që do t’u paraqesë të dy palëve, e përmban fjalën “Maqedoni”. Ai shtoi se edhe emri me të cilin vendi u anëtarësua në OKB, është Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, “kështu që fjala Maqedoni është pjesë e emrit dhe Greqia e ka njohur vendin me këtë emër”, tha Nimiç.

Sicred