KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një vit pa Dritëro Agollin

Një vit pa Dritëro Agollin

U bë një vit nga ndarja nga jeta në moshën 85-vjeçare të Dritëro Agollit, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe të të gjitha kohërave.
Sipas zakonit edhe familjarët e Dritëro Agollit janë mbledhur për ta kujtuar në një drekë, elegante, me të ftuar miq të tij, artistë, emra të politikës apo besimit fetar, pasi Dritëro Agolli me shumanshmërinë e personalitetin e tij të hapur, nuk i përkiste vetëm letërsisë.
Në emër të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa i dorëzoi familjes një çertifikatë mirënjohjeje.
Një çertifikatë mirënjohjeje i dorëzoi edhe kryegjyshi Edmond Brahimaj, në emër të kryegjyshatës botërore të bektashinjve.
Por ajo që ia ndjen më shumë mungesën, natyrshëm është e pandashmja Sadija e tij, bashkëshortja. “Eshtë shumë e rëndë, por duhet të bëhem e fortë” thotë ajo. “Dritëroi nuk kishte frikë nga vdekja! Ai më jepte gjithnjë forcë” thotë ajo.
Ashtu si në vargjet e tij: “Kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave kërko, aty i fshehur do jem unë, në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë..edhe Sadija ia zbaton këtë kërkesë e motiv për gjithë shqiptarët tashmë, dhe aty e gjen prekjen e përqafimin me të. “Jetoj për të boduar veprat e tij” thotë bashkëshortja e shkrimtarit të madh duke përmendur titujt e shumtë të librave që ka në dorë.
Para pak ditësh Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi që në bashkëpunim me familjarët, shtëpitë e shkrimtarëve Ismail Kadare dhe Dritëro Agollit t’i kthejë në muze. Por a do ta pranonte Sadija këtë? “Po të ishte gjallë ai, besoj nuk do ta pranonte” përgjigjet Sadija.
Ka që e kritikojnë se shkroi letërsi për realizmin socialist, ka që e quajnë poet e shkrimtar mbi të gjitha të popullit. Si do ta vlerësonte ish-gazetarja Sadije Agolli, me sa ajo mundet të jetë objektive, figurën e bashkëshortit të saj, Dritëro Agolli si shkrimtar? “Në çfarëdo regjimi të jetë shkrimatri është shkrimtar” thotë bashkëshortja e Dritëro Agollit. “Ai ishte shkrimtar i popullit”.

Sicred