KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një kolanë prej pesë vëllimesh për gjuhëtarin Androkli Kostallarin

Një kolanë prej pesë vëllimesh për gjuhëtarin Androkli Kostallarin

Të paktën 7 vjet kërkime dhe studime i janë dashur profesor Kujtim Kapllanit të realizonte kolanën prej pesë vellimesh “Androkli Kostallari, figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare”. Në katër vëllimet e para, botim i Akademisë Shqiptare të Shkencave, trajtohet puna shkencore e profesor Kostallarit mbi gjuhën letrare kombëtare, leksikun dhe fjalëformimin e gjuhës shqipe si dhe çështje të filologjise shqiptare. “Vëllimin e pestë unë e mendova si një mozaik, si një ansambël, duke i bërë ftesë studiuesve më të shquar të shpreheshin mbi veprën e Androkli Kostallarit” thotë për RTSH profesor Kapllani. Ai kujton se profesor Kostallari është i pari doktor honoris kauza dhe magjistër që e ka nderuar Universiteti Mbretëror i Goteborgut në Suedi.
Emrin e gjuhëtarit, profesorit, akademikut dhe mesuesit të popullit Androkli Kostallari e gjejmë që tek Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e deri tek çdo fjalor terminologjik si kryeredaktor dhe bashkëhartues. Sipas profesor Kapllanit, Kostallari ishte unik në punën mbi leksikun dhe fjalëformimin. Ai ishte arkitekt i Kongresit të Drejtëshkrimit në vitin 1972, po aq sa ishte dhe udhëheqës i të gjitha programeve drejtshkrimore.
Për realizimin e kësaj kolane, e cila del nga botimi pikërisht në 25- vjetorin e ndarjes nga jeta të profesor Kostallarit, profesor Kapllani ka patur në krah si redaktorë të tjerë emra të njohur të gjuhës shqipe që nga Emil Lafe, Rahmi Memushaj, Qemal Murati dhe Xhevat Lloshi.

Sicred