KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një dokumentar për kinemanë shqiptare

Një dokumentar për kinemanë shqiptare

“Një ciceron për historinë” është dokumentari më i ri i skenaristit dhe regjisorit Saimir Kumbaro, kushtuar udhës që ka përshkuar kinemaja shqiptare. Duke nisur nga fillesat e shfaqjes së filmave të parë në vitin 1911, 16 vite pas shpikjes së kinemasë nga vëllezërit Lymier, kohë kur në mungesë të kinemave filmat shfaqeshin nëpër bar-kafe e Koli Dromeno ishte një nga distributorët e parë të filmave në Shqipëri. E duke vijuar me filmat e realizimit socialist, ku nuk mungojnë kinematë e shndërruara në gjyqe kundër armiqve të popullit. E populli një ditë qeshte me Çaplinin, e ditën tjetër duartrokiste dënimet me vdekje apo i këndonte diktatorit. Njëra pas tjetrës për 60 minuta shfaqen në film ngjarjet më të rëndësishme që ka kaluar Shqipëria, e që janë fiksuar përjetësisht nga breza kineastësh me famë apo anonimë, një prej të cilëve edhe kineasti i njohur që u kujtua për gjithë kolegët e tij, Saimir Kumbaro. Filmi “Një Ciceron për Historinë” u promovua pikërisht në 10 korrik, datën që përkon me 65-vjetorin e krijimit të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Filmi vjen si një financim i Qendrës Kombëtare Kinematografike, me mbështetje edhe të Radio-Televizionit Shqiptar.

Sicred