KRYEFAQJA » LAJME » Një bilbil kuqezi në basketbollin europian
Një bilbil kuqezi në basketbollin europian

Një bilbil kuqezi në basketbollin europian

Shqipëria e basketbollit mund të mos ketë bërë një figurë të mirë në fazpn paraeliminatore të Botërorit të 2019-ës për zonën e Evropës, por kjo nuk do të thotë se gjithçka është gri nga fronti i koshit kuqezi në parketin kontinental. Përtej dështimit të saj në parket, për të kaluar në fazën tjetër të Eliminatoreve të Botërorit, Shqipëria ia ka dalë të jetë e pranishme në parketin e Kampionatit Evropian të Basketbollit, nëpërmjet bilbilit të gjyqtarit ndërkombëtar, Gentian Cici. 36-vjeçari ka zbritur në parket që në ditën e parë të fazës së ndeshjeve në grupe, teksa më 31 gusht ai ka qenë gjyqtar i dytë i sfidës Itali-Izrael, që është zhvilluar në Pallatin e Sportit “Tel Aviv Arena” të kryeqytetit hebre.
Kjo ndeshje, që sikundër shumica e ndeshjeve të spikatura të këtij Kampionati Evropian të Basketbollit, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Cici ka gjykuar së bashku me kryesorin spanjoll, Visente Bulto, dhe të tretin portugez, Zhorzh Vaskez, në sfidën që u fitua bindshëm nga Italia, me rezultatin 69-48. Gjyqtari shqiptar është rikthyer në parket të dielën, me supersfidën Lituani-Itali, ku ai ka qenë sërish gjyqtar i dytë, përkrah kryesorit spanjoll, Visente Bulto, ndërsa i tretë këtë radhë ka qenë boshnjaku Ademir Zurapoviç. Natyrisht, pritet që përgjatë gjithë fazës së grupeve, Cici të gjykojë edhe ndeshje të tjera në atë që është Evropiani i tij i 3-të, ndërsa synimi i tij madhor është natyrisht gjykimi në fazën finale të një Kampionati Botëror, por edhe në Olimpiadë.

Sicred