KRYEFAQJA » LAJME » Nisma: Kongresi i Lushnjës, të shpallet si Festë Zyrtare Kombëtare
Nisma: Kongresi i Lushnjës, të shpallet si Festë Zyrtare Kombëtare

Nisma: Kongresi i Lushnjës, të shpallet si Festë Zyrtare Kombëtare

Intelektualë të njohur nga qyteti i Lushnjës kanë ndërmarrë një nismë vullnetare, por edhe historike. Ata kanë bërë thirrje për të mbledhur 21 mijë firma nga qytetarët shqiptarë, për t’ja paraqitur qeverisë me kërkesën për të shpallur 21 janarin e vitit 1920, ditën e mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, si Festë Zyrtare Kombëtare. Organizatorët thonë se Kongresi i Lushnjës, vlerësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë. Ai është konsideruar akti themelor kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Kongresi u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në shtëpinë e patriotit lushnjar Kaso Fuga. Në të u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Kryeqytet u shpall Tirana.
Sipas dokumenteve të kohës nga viti 1922 deri me 1939, kongresi i Lushnjës ka qenë festë zyrtare. Por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe më vonë nga nazistët gjermanë, si dhe gjatë periudhës së regjimit komuniste, ngjarja gati u la në harresë.
Një muaj e gjysëm nga nisja e grumbullimit të firmave, mbi 6 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin. Përveç banorëve të qytetit të Lushnjës, firmat janë mbledhur edhe në Korçë, Gjirokastër, Tiranë, Fier, Berat dhe Kavajë. Organizatorët e kësaj nisme thonë se Kongresi i Lushnjës, është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për qytetin e tyre, por për gjithë Shqipërinë, ndaj kërkojnë edhe mbështetjen e gjithë shqiparëve kudo ku ata janë.

Sicred