KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nisin votimet në Rusi, Putin pritet të fitoje mandatin e katërt

Nisin votimet në Rusi, Putin pritet të fitoje mandatin e katërt

Qytetarët me të drejtë vote në Rusi votojnë në zgjedhjet presidenciale, ku pritet që presidenti aktual, Vladimir Putin të fitoje mandatin e katërt. Pyetja e vërtetë është nëse pjesëmarrja në votime do të jetë e lartë, në mënyrë që Putin të fitojë bindshëm. Zgjedhjet në Rusi përkojnë me katërvjetorin e aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska. Presidenti në detyrë, Putin 65-vjeç, teksa ka votuar në Moskë ka thënë se çdo pjesëmarrje e votueshme që do t’i lejojë presidentit të përmbushë detyrat e tij është një “sukses”. “Jam i sigurt se programi që unë ofroj është i duhuri”, ka thënë Putin. Pjesëmarrëja e votuesve në Lindjen e Largët të Rusisë tashmë është më e lartë se sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2012. Në disa fshatra në Kamçatka dhe Çukotka raportohet se dalja në zgjedhje është 100 për qind. Grupi i pavarur për monitorimin e zgjedhjeve Golos, ka raportuar për parregullsi gjatë votimeve, përfshirë edhe vendosjen e kutive të votimit larg kamerave të vëzhgimit dhe ndryshimet në minutën e fundit në regjistrin e votuesve, që besohet se bëhet për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje. Në zgjedhjet presidenciale marrinë pjesë tetë kandidatë, por shtatë kandidatët e tjerë, sipas sondazheve, qëndrojnë shumë larg Putinit. Kandidati i Partisë Komuniste Pavel Grudinin ka 7 për qind të votave, ndërkaq gazetarja Ksenia Soçak 2 për qind. Sipas Qendrës për Studime të Opinionit Publik, organizatë e afërt me Kremlinin, Putini do të fitojë 69 për qind të mbështetjes së rusëve. Rivali i vetëm i madh i Putinit është lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit Aleksei Navalny, i cili nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, pasi më parë ishte dënuar për keqpërdorim, akuzë kjo që shihet si e motivuar politikisht. Navalny u ka bërë thirrje rusëve qe te bojkotojne zgjedhjet. Për zgjedhjet presidenciale, Policia në Moskë ka njoftuar se ka angazhuar 17 mijë oficierë, trupa të Gardës Kombëtare dhe personel tjetër të sigurisë.