KRYEFAQJA » LAJME » Nishani uron për 2017-tën: “Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Nishani uron për 2017-tën: “Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Viti i ri 2017 ka qenë një rast që presidenti Bujar Nishani t’u drejtonte një mesazh urimi shqiptarëve kudo që ndodhen. “Ndihem vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar pa dyshim dhe do të doja t’ju uroja një për një, në cilësinë e Presidentit të Republikës, në emër të shtetit shqiptar!” shprehet zoti Nishani. Ai ka zgjedhur të vlerësojë disa nga ngjarjet më kryesore të vitit që tashmë po mbyllet, por edhe të nënvizonte sfidat që vendi ka përpara. “Hapja e Negociatave për anëtarësim do kish qenë një moment kulmor gëzimi në epilogun e këtij viti, e megjithatë ky vendim i Këshillit Evropian na ndërgjegjëson edhe më shumë se kemi ende shumë punë për të bërë dhe shumë sfida për t’u përballur” tha zoti Nishani. Sipas tij “Rezultatet konkrete me Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, në respektimin e të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbëjnë sprovën tonë të madhe”. Presidenti nënvizon se “Zgjedhjet e 18 qershorit të ardhshëm përbëjnë një moment vendimtar për demokracinë tonë. Standardi i këtyre zgjedhjeve është kriteri kryesor për një mundësi që të shkojmë më përpara në përmirësimin e jetës sonë të përditshme” shprehet ai. Në këtë konteks zoti Nishani vlerëson se “Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kam dhe një apel të sinqertë, mbi të gjitha për liderët politikë”. “Është koha për një marrëveshje politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është koha ta mbyllim një herë e përgjithmonë kapitullin e shitblerjes së votës, e kërcënimit të votuesit me bukën e përditshme; Është koha të garojnë alternativat politike-ekonomike për t’i sigururar vendit një qeverisje më të mirë, për të rikthyer besimin tek politika, për të rikthyer shpresën tek qytetarët që vazhdojnë të largohen në masë” bën thirrje kreu i shtetit.

Sicred