KRYEFAQJA » LAJME » Nishani uron paqeruajtësit shqiptarë

Nishani uron paqeruajtësit shqiptarë

Presidenti Bujar Nishani, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me rastin e Festës së Vitit të Ri 2017, zhvilloi një video-konferencë me kontingjentin e 83 ushtarakëve shqiptarë, të cilët në përbërje të forcave të NATO-s kryejnë misionin paqeruajtës në Kabul dhe Herat të Afganistanit. “Mbarë populli shqiptar sot ndihen krenarë për ju, ju falënderojnë dhe ju nderojnë për këtë kontribut dhe këtë gatishmëri që ju keni treguar për ta dhënë këtë kontribut, që kërkon sakrifica dhe gatishmëri ndoshta edhe për sakrificën sublime” u tha zoti Nishani. “Ju nuk jeni vetëm mesazherë të paqes, të sigurisë dhe lirisë, por ju jeni edhe kontribuues dhe garantues të paqes, sigurisë e të lirisë” shtoi ai.

“Ne tashmë me këto kontribute kemi edhe dëshmorët tanë, kemi të rënët tanë. Ne do t’i kujtojmë ata gjithmonë. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë. Prandaj përfitoj nga rasti që edhe sot së bashku me ju të bëjmë homazh në respekt të kujtimit të Kapiten Feti Voglit, por edhe të gjithë atyre, të cilët kanë sakrifikuar dhe janë treguar të gatshëm për sakrifica të tilla për t’i shërbyer lirisë, paqes, dinjitetit të kombit shqiptar, por edhe të dimensionit botëror që ka liria dhe paqja” u tha presidenti ushtarakëve të misionit paqeruajtës në Afganistan.

Zoti Nishani gjeti rastin të falenderonte të gjitha grupet dhe njësitë e tjera të Forcave të Armatosura të Republikës që shërbejnë sot në vende të ndryshme, në Egje, Irak, Çad, në KFOR, në Bosnje dhe Hercegovinë. “Sot sfidat që kërcënojnë lirinë, sigurinë dhe paqen në botë, në rajone të ndryshme dhe kudo janë evidente, për fat të keq. …por Forcat tona të Armatosura janë të gatshme, të përgatitura, të afta, profesionale, që në kuadër të Aleancës së madhe botërore të ruajtjes së këtyre vlerave të japin angazhimin dhe kontributin e tyre” tha zoti Nishani.

Sicred