KRYEFAQJA » LAJME » Nis viti i ri akademik universitar, dyndje në Tiranë, braktisen rrethet

Nis viti i ri akademik universitar, dyndje në Tiranë, braktisen rrethet

Universitetet në Shqipëri çelën sot dyert për vitin e ri akademit 2017-2018. Por ndërsa në Tiranë u pa një dyndje e studentëve drejt auditorëve, në rrethe pamja ishte e ndryshme. Unversitet e rretheve po përballen me rënien e numrit të studentëve. Afërsisht 30 për qind e kuotave të tyre kanë mbetur të lira, pasi maturantët nuk kanë zgjedhur të ndjekin studimet nëpër universitetet periferike. Sipas rezultateve të arritura studentët kanë preferuar universitetet në Tiranë ose jashtë vendit. “1380 studentë janë regjistruar për herë të parë në Universitetin “Luigj Gurakuqi ” në Shkodër nga 2100 vende që ka ofruar ky universitet” thotë gazetarja e RTSH Merisa Gjoni. Sipas saj numrin më të ulët të të regjistruarve e mban fakulteti i shkencave të edukimit. “Në degën e fizikës janë regjistruar vetëm 5 studentë. Ende nuk dihet nëse kjo degë do të shkrihet apo të regjistruarit do të kalojnë në degë të tjera” thotë gazetarja e RTSH.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. “Plotësimi i kuotave është një problematikë jo vetëm për Universitetin “Ismail Qemali”, por për të gjitha universitet shqiptare” thotë rektori Roland Zisi. Sipas tij janë realizuar rreth 70-75 përqind të kuotave të realizuara. “Disa programe studimi janë problematike” shton zoti Zisi.
Për herë të parë pas viteve 1990-të, referuar edhe statistikave mund të thuhet se studentët kanë “braktisur” edhe degët elitare, ku konkurrenca ndër vite ka qenë shumë e ashpër. “Krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie dhe kjo është rrjedhojë e konkurrencës shumë të fortë që ka mes universiteteve shqiptare, publike dhe jo publike” thotë rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës Bektash Mema. Ai pranon se universiteti i tij është më periferiku.
Veç degëve të shkencës, edhe ato të bujqësisë këtë vit nuk rezultuan të dëshiruara për të rinjtë studentë.

Sicred