KRYEFAQJA » LAJME » Nis “Vettingu”, paralajmërohet furtunë në gjyqësor

Nis “Vettingu”, paralajmërohet furtunë në gjyqësor

30 Tetori i këtij viti pa dyshim do të mbahet mend gjatë në historinë e Shqipërisë. Në një ceremoni të thjeshtë me pjesmarrjen e  gjyqtarëve ndërkombëtar dhe njerëzit e përzgjedhur për të kontrolluar gjyqësorin, pa praninë e politikës,  ka nisur procesi delikat i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur me emrin “Vetting”.
Ngjarja u shënua me përurimin e godinës së re, në të cilën do të punojnë tre institucione kushtetutese. Më parë godina ka qenë ndërtesa e Ministrisë së Kulturës.
Ky është një operacion për të cilin janë investuar dy partnerët kryesorë të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, një proces, që pritet të japë efektet e para pas disa javesh.
“Drejtësia duhet dhënë pavarësisht pasojave” tha Natasha Mulaj që është zgjedhur në krye të kolegjit të apelimit. “Kam përshtypjen, tha ajo, se jo vetëm unë, por të gjithë në këtë sallë në këtë vend, mendojmë se qiejt nuk janë përmbysur pasi nuk është dhënë kjo drejtësi. Ne duhet të bëjmë drejtësi sikur edhe qiejt të përmbysen” këmbënguli ajo.
Por zemra e Vettingut janë gjyqtarët ndërkombëtarë. Trupa e ekspertëve paralajmëron se do të hetojë në detaje, duke sjellë eksperiencën më të mirë për pastrimin epokal të gjyqësorit në Shqipëri.
Theo Xhacobs, gjyqtar dhe ish prokuror i Belgjikës tha se “Siç është përcaktuar në Kushtetutë, komisionet e Vettingut janë të pavarura, por po kaq të pavarur jemi edhe ne si vëzhgues ndërkombëtarë. Ne do të kërkojmë, do të hetojmë, ne do të vëzhgojmë dhe monitorojmë. Ne do të japim rekomandimet tona të paanshme, edhe atehere kur mund të mos biem dakord me anëtarët e komisioneve. Prandaj jemi ketu” tha zoti Xhakobs.
Dy personat që kanë ndjekur hapa pas hapi dhe kanë frymëzuar dhe mbështetur procesin e Vettingut në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE Romana Vllahutin dukeshin më shumë se të kënaqur. “Sot është një ditë për shpresë në Shqipëri” tha zoti Lu. Ndërsa ambasadorja Vllahutin tha se “Është një ditë e rëndësishme për të gjithë në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur dhe po shohim edhe një staf të dedikuar në institucionet e vettingut”.

Sicred