KRYEFAQJA » LAJME » Nis shpërndarja nga ajri e pakove ushqimore në fshatrat e Kukësit

Nis shpërndarja nga ajri e pakove ushqimore në fshatrat e Kukësit

40 pakot e para me ndihma ushqimore do të shpërndahen nga ajri me helikopterët e ushtrisë në fshatarët të zonës së Kukësit. Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, në një intervistë për RTSH-së, konfirmoi shpërndarjen për 40 familjet në Arren të Kukësit dhe më pas shtabet e emergjencave do të vlerësojnë çdo thirrje për ndihmë.

“Ndihmat do të shpërndahen me linja ajrore me mbështetjen e ministrisë së mbrojtjes me helikopterët e ushtrisë kryesisht në rajonin e Arrnit që është zona më e izoluar në rajonin e Kukësit dhe në zona të tjera ku do të konfirmojnë prefektët ku me të vërtetë kanë nevojë për ndihma emergjente banorët e izoluar” tha Shemsi Prençi, kreu i emergjencave Civile.

Prenci duke folur për banorët në situatë emergjence për ndihma, fton drejtuesit vendorë të tregojnë seriozitet me kërkesat që paraqesin. Ai e cilësoi si qesharake kërkesën e bashkisë së Kukësit për 500 pako me ndihma për familjet në qytete. “Nuk mund të konsiderohet zonë e izoluar qyteti i Kukësit ku gjithë rrugët janë të hapura dhe kërkohet 500 pako për 500 familje” tha Prençi.

E njëjta kërkesë vjen edhe nga bashkia e Poliçanit.Prençi shtoi se “Kemi patur një kërkesë absurde që bashkia e Poliçanit kërkon për 1000 familje ndihma që sështë serioze”.

Pakot me ndihma ushqimore për banorët e izoluar në zonat veriore të vendit, përmbajnë pako ushqimore me 25 kg ushqime, por edhe veshje, batanije mjete të tjera për mbijetesë në kushtet kur temperaturat kanë shkuar deri në -24 gradë celcius. Prençi sqaron se rast pas rasti do të vlerësohet çdo thirrje për ndihmë apo për ushqime, veçanërisht për banorët e izoluar nga moti i acartë.

Sicred