KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Nino Çeleste, kineasti i sekreteve të kinemasë

Nino Çeleste, kineasti i sekreteve të kinemasë

Nino Çeleste ka qënë syri i kameras në më tepër se 220 filma në historinë e kinemasë italiane dhe asaj botërore. Ka përjetuar epokën e artë me filma të realizuar përkrah Pasolinit, Alain Delonit, Sofia Loren, Maria Callas, Jean Luc Godard, Ben Kingsley e shumë emra të tjerë të njohur por ende sot në moshën 77 vjeçare nuk heq dorë nga pasioni i tij. Prej disa vitesh kinemaja e ka sjellë në Shqipëri ku ka punuar për disa filma me regjisorë si Saimir Kumbaro, Besnik Bisha e Namik Ajazi e tani një film i shkurtër i regjisores së re Arsa Gashi e ka sjellë këto ditë në Tiranë. “Para se gjithash Shqipërinë e shoh si një tokë të mrekullueshme për të xhiruar, ka qoshe shumë të bukura që në Itali nuk i gjej. Pastaj njerëzit që kam takuar dhe kam bashkëpunuar janë shumë profesionistë. Kur kam ardhur këtu për herë të parë thoja o Zot ku po shkoj sepse kisha dëgjuar për Shqipërinë të flitej vetëm keq. Filmi i parë që kam bërë këtu ka qënë në 2017 Maco Ce dun nga Besnik Bisha dhe më tej kam punuar me të tjerë regjisorë. Dhe kur më thirri Arsa Gashi për filmin e saj lashë punën që kisha në Itali për të ardhur këtu sepse nuk e di e kam Shqipërinë në zemër” tha Drejtori Fotografisë Nino Çeleste. Çeleste ka punuar në tre filma me regjisorin e madh italian Pier Paolo Pasolinin dhe kujton aftësinë e tij për kërkimin e përsosmërisë, poetik dhe fjalëpak por me një vetëdije të shkëlqyer për rezultatin final. “Largimi i Pazolinit më ka trishtuar shumë sepse u eleminua një person me një kulturë dhe një thellësi të jashtëzakonshme. Unë ende ruaj në shtëpi skenarin e filmit që nuk arrita ta bëja me të. Për ne ishte si një baba, ishte plot ide edhe nëse nuk e dinte ç’ishte objektivi, e dinte saktësisht se çfarë donte. E njëjta gjë më ka ndodhur në këtë film me Arsa Gashin e cila edhe pse nuk e dinte ç’ështe 35 apo 25 milimetërshi e dinte fare mirë se çfarë donte dhe për mua ky është profesionalizëm”. Teksa ndalemi në kujtimet e serialit televiziv Oktapodi ai e di mirë se Komisar Katani adhurohej në Shqipëri por jo vetëm këtu….në Hungari restorantet mbylleshin “për mafian” në orën që jepej seriali. “Ishte një sulm ndaj pushtetit, dhe jo vetëm mafias. Më kujtohet se gjatë kohës kur kishte dalë Oktapodi 4 gjendesha në Budapest për xhirimet e një filmi tjetër dhe pas xhirimeve kur shkoja për të ngrënë të gjitha restorantet ishin mbyllur me një tabelë ku shkruhej “mbyllur për mafian” dhe me miqtë e mi bëja shaka “djema, mafia paska mbërritur edhe këtu nuk është vetëm në Itali”. Derisa pyeta një polic i cili më shpjegoi se në atë orë restorantet mbylleshin sepse duhet të shohin mafian që do të thoshte shikimi i filmit Oktapodi”. Ndonëse shumë prej kujtimeve i mban sekret, ai kujton me ne të madhin Ben Kingsley për pasionin e tij në filmin “Il treno di Lenin” me regji nga Damiano Damiani ne të cilin Kingsley …. “veshi një këpucë me numër më të vogël, ai mbante numrin 42 dhe veshi numrin 40 dhe fjeti me të për tre netë me radhë sepse duhej të prezantohej në set si Lenini i cili çalonte. Është dicka që më ka lënë mbresa të thella se deri ku arrin një artist të sakrifikoje për artin. Në itali asnjë aktor nuk do ta bënte një gjë të tillë kurrë” theksoi më tej Çeleste. Një jetë dedikuar kinemasë në filma autor apo seriale televizive, Nino Çeleste ka shumë për të rrëfyer mbi yjet e kinemasë edhe pse shpesh heziton duke i mbajtur sekretet për vete, edhe pse kushdo që e njeh mirë e nxit të shkruaje një libër mbi sekretet e pathëna pas ciakut.

Sicred