KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nigeria mund Islandën dhe ndërlikon grupin D
Nigeria mund Islandën dhe ndërlikon grupin D

Nigeria mund Islandën dhe ndërlikon grupin D

Në takimin e dytë të zhvilluar të premten, Nigeria ka shtangur Islandën, duke e mundur me rezultatin 2-0 dhe duke e ndërlikuar plotësisht gjendjen në grupin D, sa i përket skuadrës që do ta shoqërojë Kroacinë në turin e 16-shes. Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin e Vollgogradit ka patur dy tablo të kundërta sa i përket secilës pjesë loje, me nordikët që kanë dominuar në pjesën e parë dhe me afrikanët që përmbysin gjithçka në të dytën.
45 minutat e para kanë folur vetëm për Islandën, që ka patur 12 goditje në drejtim të portës nigeriane, nga të cilat dy në kuadrat, kundrejt asnjë goditjejeje të skuadrës afrikane. Rastet nuk kanë munguar për skuadrën islandeze, por ai që ka munguar ka qenë finalizimi i saktë, ndonëse ka spikatur me paraqitjen e tij edhe portieri 19-vjeçar i Nigerisë, Frensis Uzoho. Për rrjedhojë, pjesa e parë është mbyllur e bardhë.
Pjesa e dytë do të flasin bindshëm për nigerianët, të cilët e gjejnë golin brenda minutave të para me anë të Ahmed Musas. Nigeria do ta dominojë lojën në vijim, përballë një Islande të zbehtë dhe pa grintë, dhe afrikanët do të rrezikojnë edhe një herë me Ahmed Musan, i cili fillimisht do të vërë në provë portierin islandez. Pak minuta më pas, në të 75-tën, është i njëjti futbollist që do të tërheqë zvarrë mbrojtjen dhe portierin islandez dhe do të firmosë dygolëshin e tij në këtë takim.
Islanda do të reagojë, por edhe kur do të kenë mundësinë e artë për të ngushtuar hendekun e golave, por lojtari më i spikatur, Gylfi Sigurdson, gabon krejtësisht, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Mbyllet kështu me fitoren e Nigerisë kjo ndeshje dhe afrikanët kthehen në lojë sa i përket kualifikimit për në turin tjetër.

Sicred