KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Nga muaji prill-Taksa e pronës në faturën e ujit

Nga muaji prill-Taksa e pronës në faturën e ujit

Qytetarët dhe bizneset do të vijojnë të paguajnë taksën e pronës në faturën e ujit, por nga muaji Prill, kjo taksë do të llogaritet mbi bazën e vlerës reale të ndërtesave dhe nuk do të jetë fikse mbi sipërfaqen siç ka qënë deri më tani. Burime nga ministria e financave thanë për RTSH se deri në përfundimin e kadastrës fiskale, mbledhja e taksës do t’u lihet fillimisht bashkive, përmes faturës së ujësjellsave. Në një kohë të dytë, taksa do të kalojë në faturën e përmuajshme të energjisë elektrike. Por sa do të paguajnë qytetarët me formulën e re? Konkretisht, qeveria ka vendosur që taksa për shtëpitë e banimit të jetë 0.05% e vlerës së objektit, ndërsa për bizneset 0.2% e vlerës së ndërtesës. E thënë ndryshe, një qytetar që ka një apartament me vlerë 10 milionë lekë të reja do të paguajë çdo muaj në faturën e ujit si taksë pasurie 420 lekë të reja. Po krahas shtëpive, apartamenteve dhe objekteve të biznesit, objekt taksimi do të jenë edhe garazhet e mbyllura, papafingot si dhe bodrumet. Po ashtu, nga kjo taksë nuk do të shpëtojnë as ndërtuesit që shkelin afatin e lejeve të ndërtimit. Ata do të paguajnë 30% e shkallës së taksës përkatëse. Por si do të arrihet deri në vlerën reale të ndërtimeve? Metodologjia e miratuar këtë javë në qeveri përcakton si bazë vlerësimi vetëdeklarimin. Çdo qytetar duhet të vetëdeklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore. Në rast se vetëdeklarimi rezulton i ndryshëm nga vlerësimi i përcaktuar me këtë metodologji, atëherë si vlerë e bazës së taksës do të jetë vlera më e lartë.

Sicred