KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Nga Janari do të paguhet taksa e pronës e rillogaritur

Nga Janari do të paguhet taksa e pronës e rillogaritur

Që nga muaji Janar, në faturat e ujësjellësit në kryeqytet, do të jetë edhe taksa e pronës por tashme e rillogaritur me formulën e re. Qytetarët dhe bizneset do të paguajnë taksë mbi pronën mbi bazën e vlerës reale të ndërtesës. Taksa mbi ndërtesat për banim do të jetë 0.05% e vlerës reale të ndërtesës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.15%.

Për të marrë këtë taksë prone në shkallë vendi, ekzistojnë akoma probleme sepse në kadastrën e pronave, janë hedhur vetëm 650 mijë shtëpi ndërsa në total janë rreth 1.2 milionë prona në të gjithë territorin e vendin, sipas ministrit në detyrë të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ndërkohë që bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe çmimet e referencës për banesat në zona të ndryshme të kryeqytetit, zona më e shtrejtë është Ish-Blloku, Libri Universitar, 190 mije lekë/m² ndërkohë, zonat më të lira janë Bregu i Lumit, Porcelani, Kinostudio, rr. Hoxha Tasim, fshati Linzë me 60 mije lekë/m². Gjithashtu, referuar tabelave zyrtare, sot një familje që banon në një apartament të ndërtuar para vitit 93, në Tiranë paguan 150 lekë, kurse për ndërtesat pas 93, paguhet 300 lekë.

Me taksën e re për një familje që banon në shtëpi para 93 ngarkesa do të rritet me rreth 2,957 lekë, kurse për shtëpitë pas 1993 taksa do të rritet më pak, përkatësisht 1,457 lekë. Sa i përket qyteteve të tjera të vendit, Durrësi renditet i dyti pas Tiranës, që do të ketë vlerën më të lartë të taksës, më pas renditen Elbasani dhe Fieri. Nga ana tjetër, drafti përjashton nga kjo taksë pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen me qera të paliberalizuara; banesat sociale në pronësi të bashkive dhe pasuritë e paluajtshme që përdoren nga bashkitë si banesa sociale. Po ashtu drafti përjashton nga taksa e pasurisë të gjitha ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare. Strukturat akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur “brand name”përjashtohen nga kjo taksë. Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët dhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike përjashtohen nga kjo taksë. Ligji i ri për taksën e pronës, ka hyre në fuqi që prej 1 Prillit të vitit 2018, por nuk është sqaruar akoma se si do të veprohet për të mbajtur këtë pagesë të vitit të kaluar.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com