KRYEFAQJA » LAJME » NGA DARDANËT ME DASHURI… Dy kombëtare për një komb, sa shumë keqardhje

NGA DARDANËT ME DASHURI… Dy kombëtare për një komb, sa shumë keqardhje

Dy kombëtare për një komb, sa shumë keqardhje
Fenomenalë, të pashtershëm, magjikë. Kosova flet me gjuhën e futbollit perëndimor. Në kryeqëndrën e Bullgarisë, herionjtë janë ata, dardanët e trojeve veriore të Shqipërisë së Madhe. Prej më shumë se 3 vjetësh me përfaqësuesen e tyre në një rrugëtim që askush nuk e priste. Kaq pak kohë u mjaftoi për të rrëmbyer skenën e futbollit të rëndësishëm me të parën fitore jashtë fushe në një fazë eliminatore. Zemër, kurajo, pasion dhe talent, miksim i mjaftueshëm për të diktuar ligjin edhe në një tokë mistike me hije të rëndë dhe të shkuar të lavdishme në futboll. Ish vendi i tretë i botërorit amerikan, Bullgaria sot është vënë përfund nga skuadra më e re e kontinentit. Pa llogari, thjesht me dëshirën për t’u argëtuar në fushë, Dardanët po mbajnë gjallë frymën e shqiptarisë në lojën më të ndjekur të planetit. Ndoshta një kombëtare e ndërtuar mbi baza etnike do të ishte e frikshme për këdo në Ballkan, por koha, mentaliteti feudal i drejtuesve lokalë dhe dëshira për të pasur dy përfaqësues në institucionet ndërkombëtare ka ndarë një popull nga ëndrra për t’u përfaqësuar si një i gjithi, i pandarë. Milot Rashicën e cilësojmë gabim të De Biasit dhe ndoshta pjesërisht italiani ka fajin e tij, por sulmuesi i talentuar shtatshkurtër, ashtu si Rrahmani, Shala e shumë të tjerë, është viktimë e mungesës së një strategjie vizionare dhe afatgjatë për të ndërtuar një bosht me djem të talentuar dhe uri dhe jo një skuadër ku lojtarët dezertojnë sipas humorit të ditës. Sot ylli i Werder Bremenit, ish sulmuesi i kuqezinjve U-17, u-19 dhe U-21 u divorcua përfundimisht me anën matanë kufirit pas largimit nga faza përgatitore përpara europianit, ashtu si Ramadani, që të dy sot elementët më të vyer të 11-ëshes dardane që po kërcënon jo pak edhe Republikën Çeke duke tentuar goditjen e madhe në një grup të komplikuar. 5 nga 11 titullarët e Sofjes kanë kaluar mes fidanishteve kuqezi por me forcë u shtynë të bëheshin pjesë e një realiteti të ri, të vështirë por sigurisht të suksesshëm. Dardanët po ecin në rrugën e duhur për pushtimin e dytë të Europës ku futbolli i bën kombit reklamën më të vyer, atë që politikat e mendjeve të nxehta dhë të izoluara e cbëjnë me një të rënë

Sicred