KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Nevojat e turizmit dhe kërkesat e biznesit të turizmit

Nevojat e turizmit dhe kërkesat e biznesit të turizmit

Ka një shprehje të hershme në ekonomi, sipas të cilës “qeveria që qeveris më mirë është qeveria më e keqe”. Kjo aksiome në fakt ka të bëjë me nismën e lirë, ku qeveritë përcaktojnë vetëm rregullat e lojës dhe i monitorojnë ato, ndërsa aktorë të tjerë janë ata që investojnë.
Sokol Hoxha, Kryetar i Sektorit të Agjencive Turistike thotë se duhet “…të shikohet sa më tepër dhe të stimulohet krijimi i resorteve turistike. Unë po flas për bregdetij, por e njëjta situatë duhet të jetë edhe në zonat malore turistike. Të stimulohet ndërtimi i restorteve turistike dhe kampingjeve. Kryeministri ka thënë se shumë shpejt do të hapim një aeroport në Vlorë dhe një në Sarandë. Por mundësitë hoteliere janë shumë të vogla. Vetëm me dy çartera do të mbushen këto qytete” tha zoti Hoxha.
Qeveria nuk mund të investojë nga paratë e taksapaguesve shqiptare në sektorë të tillë që kërkojnë miliona euro. Kjo është një detyrë apo angazhim i sipërmarrjes. Sipërmarrja nga ana e saj nuk mund të kërkojë investime publike të nivelit të resorteve, por mund të kërkojë lehtësi për sipërmarrjet që ndërmarrin nisma të tilla. Kjo i takon edhe përfaqësuesve të agjencive turistike, që i kanë të domosdoshme resortet turistike.
Sokol Hoxha, Kryetar i Sektorit të Agjencive Turistike sugjeron që taksat që mblidhen nga turizmi të investohen në turizëm. “Ministria e turizmit të bëjë një koordinim sa më të saktë me bashkitë dhe agjensitë e bregdetit dhe të mos kemi aksidente fatale” thotë ai.
Sipas INSTAT, numri i turistëve të huaj është rritur në pesëmujorin e parë të këtij viti me rreth 9.5 përqind. Shqipëria u vizitua nga më shumë se 1,3 milionë turistë për këtë periudhë. Krahasuar me vitin 2015, të ardhurat nga turizmi në 2016 u rritën me 13 përqind duke i sjellë ekonomisë kombëtare 175 milionë euro më shumë. Këto të dhëna janë sinjal i qartë për sipërmarrjen e turizmit për të investuar. Mbetet që sipërmarrja shqiptare në fushën e ndërtimit, të lexojë mirë të dhënat e mësipërme.

Sicred