KRYEFAQJA » LAJME » Nesër në prag të konstituimit të parlamentit të Kosovës

Nesër në prag të konstituimit të parlamentit të Kosovës

Një ditë para mbledhjes konstituive të Parlamentit të Kosovës ende ka mjaft paqartësi, se a do të arrijë koalicioni “PAN” fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit të sigurojë numrat për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit. Sipas Kushtetutës kryeparlamentari propozohet nga subjekti politik që fiton zgjedhjet. Partia Demokratike që është në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë “NISMA”, ka propozuar për kryeparlamentar Kadri Veselin. Sipas zyrtarëve të Partisë Demokratike, koalicioni “PAN” që ka 39 deputetë, bashkë me 20 deputetë të pakicave, dhe tre deputetë të subjekteve të tjera, ka arritur të sigurojë numrat për konstituimin e Parlamentit dhe zgjedhjen e kryetarit të ri. . Mirëpo, në Lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila ka dalë e dyta në zgjedhjet e 11 qershorit, dyshojnë se koalicioni “PAN” mund të ketë siguruar numrin prej 61 deputetësh, aq sa duhet për të zgjedhur kryetarin, nënkryetarët dhe komisionet parlamentare. Mbledhja e nesërme konstituive e Parlamentit të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e medias brenda dhe jashtë Kosovës. Nëse çdo gjë ecën siç pohojnë liderët e koalicionit “PAN”, atëherë pritet që në ditët në vazhdim të votohet edhe kryeministri i nominuar nga ky koalicion, Ramush Haradinaj. Në të kundërtën, presidenti Hashim Thaçi ka të drejtë të kërkojë nga partitë parlamentare që brenda 15 ditësh të provojnë të sigurojnë votat e nevojshme për një mandat tjetër për krijimin e qeverisë së re. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë Kosova shkon në zgjedhjet tjera të parakohshme që duhet të organizohen brenda 40 ditësh.

Sicred