KRYEFAQJA » LAJME » Nënshkruhet marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë

Nënshkruhet marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Aleksis Tsipras e kanë vulosur me nënshkrimin e marrëveshjes zgjidhjen e çështjes së emrit. Marrëveshja u nënshkrua në zonën greke të Prespës. Ata firmosën ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë Veriore. Kryeministri i Greqisë, Tsipras vuri theksin në rëndësinë që ka pakti për qytetarët, jo për politikanët. “Është një marrëveshje për përmirësimin e jetës së qytetarëve. E kemi për detyrë që të vazhdojmë këtë rrugë historike dhe jam i bindur e optimist se do ta realizojmë këtë, që të shndërrohemi në shembuj paqeje dhe miqësie për rajonin dhe botën” tha zoti Tsipras.
Zoti Zaev nga ana e tij tha se kjo marrëveshje është historike për të dyja vendet për të ardhmen e tyre evropiane. Ai theksoi se marrëveshja hedh pas krahëve 3 dekada ngërç, mosbesim dhe armiqësi dhe sheh nga e ardhmja. “Së bashku me Greqinë të shtrojmë rrugën për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Së bashku do të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë e të ndërtojmë ura bashkëpunimi në të gjitha fushat. Qytetarët tanë meritojnë paqen” tha kryeministri maqedonas.
Në ceremoni morën pjesë edhe ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimetz dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Sicred