KRYEFAQJA » LAJME » NënShkodra pushtohet nga uji

NënShkodra pushtohet nga uji

Situata e përmbytjeve në Shkodër po përkeqësohet orë pas ore. Sipas njoftimeve të sotme sipërfaqja e tokës nën ujë është mbi 4200 hektarë, ndërsa një ditë më parë ishte 3200 ha. Harta e përmbytjes është zgjeruar jo vetëm në zonën e NënShkodrës, por edhe në lagjet periferike të qytetit. Të martën në mëngjes, lagjia “Ajasëm” poshtë kalasë së Rozafës është zgjuar e përmbytur. Uji ka rrethuar edhe banesat duke izoluar kështu shumë familje.
Bashkia e Shkodrës njofton për 157 banesa të rrethuara nga uji, ndersa nëntë të përmbytura. Në periferi të qytetit, kampi i romëve pranë Prokurorisë së Shkodrës është i përmbytur. Bashkia Shkodër ka zhvendosur fëmijët në Qendrën Komunitare Nr. 4 dhe ka kërkuar ndihmën e Ushtrisë për të bërë evakuimin e të rriturve në strehimin përkatës në Bërdicë.
Ministria e Mbrojtjes thotë se deri më tani janë evakuuar 5 familje me 23 banorë. Gjithashtu, janë transportuar nga fshati Obot për në Oblikë 65 banorë. Nga ana tjetër, shikohet një rrezik i argjinaturave dhe për këtë janë dërguar rreth 5000 thasë me rërë, të cilët po përdoren për forcimin e tyre.
Nga rezervat e shtetit janë  sjellë në Shkodër qindra krevate  portative dhe dhjetra çadra për strehimin e të shpërngulurve nga banesat. Veç fshatit Obot që është izoluar prej  disa ditësh problematika në qarkullim shfaqen sot  edhe në segmentin rrugor Shkodër – Velipojë. Prania e madhe e ujit, ka bllokuar hyrjen e rrugës së Dajçit, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve, transportin e arsimtarëve në shkolla dhe stafit shëndetësor. Në të gjitha segementet e njësisë administrative të Dajçit lëvizja është e mundur vetëm nga mjetet e larta të ushtrisë që janë prej disa ditësh në terren në ndihmë të banorëvet e këtyre zonave.
Situata është inspektuar të hënën pas dite nga zvendëskryeministrja Senida Mesi e cila u shpreh se: “Situata paraqitet e vështirë, mesatarisht kërcënuese, por jo kritike”. Sipas saj “Qeveria Shqiptare ka qenë dhe është plotësisht e angazhuar për tu ardhur në ndihmë banorëve”.
Nga ana e saj Bashkia e Shkodrës vijon të insistojë në kërkesën e saj drejtuar qeverisë për shpalljen e emergjencës në zonat e përmbytura. Por sot kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka shkuar edhe më tej. Sipas saj nuk bëhet me fjalë për emergjencë lokale, por rajonale, pasi harta e përmbytjeve është zgjeruar.

Sicred