KRYEFAQJA » LAJME » Negociatat, Merkel inkurajon Ramën
Merkel: "Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit"; Rama: "Ne kemi bërë përparime të pabesueshme"

Negociatat, Merkel inkurajon Ramën

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria drejt rrugës për çeljen e negociatave me BE, por opinionin përfundimtar do ta krijojë pas disa ditësh. Duke folur pas takimit me kryeministrin Rama në Berlin, zonja Merkel tha se “Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Në ditët në vijim do të krijojmë opinionin tonë përfundimtar, ndërsa do të diskutojmë edhe me kolegët tanë europianë”. Sipas zonjës Merkel “… Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Një prej tyre është vlerësimi i disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësinë dhe besueshmërinë e tij. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë” i tha ajo homologut të saj shqiptar Edi Rama.

Zoti Rama nga ana e tij përsëriti se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pas reformave të ndërmarra. “Falenderoj Merkel për mbështetjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit evropian dhe në këtë kontekst, Shqipërinë. Falë vizionit të tyre dhe fuqisë së integrimit, procesi i Berlinit e ka transformuar rajonin. Ne kemi bërë përparime të pabesueshme” tha zoti Rama. “Kur takuam në vitin 2014, folëm gjithashtu për të bërë një reformë themelore ligjore. Sot jam krenar të them këtu se Shqipëria ka kryer një reformë të thellë në fushën ligjore dhe gjyqësore, e cila është vlerësuar si e tillë nga Komisioni Evropian dhe si një model për të gjithë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor” u shpreh kryeministri shqiptar. “Pas rekomandimit të KE, unë shpresoj të kem mbështetjen e Gjermanisë dhe kancelares në qershor” shtoi ai.

Për zotin Rama “Është shumë e qartë për ne se ky nuk është fundi. Ky është fundi i një faze dhe hapja e një faze tjetër. Ka shumë reforma, shumë sfida dhe shumë sakrifica që na presin, kështu që ne meritojmë të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian. Unë kam ardhur këtu për të përcjellë kancelarit besimin tim se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim për shkak se Shqipëria e meriton atë”.
“Shumica për Shqipërinë thotë se jemi myslimanë. Por ne jemi një vend, ku të krishterët dhe myslimanët bashkëjetojnë me njëri tjetrin. Nga veriu në jug i Shqipërisë, ata kanë të njëjtën fe. Kjo fe është Europa” përfundoi fjalën e tij kryeministri shqiptar Edi Rama.

Sicred