KRYEFAQJA » LAJME » Negociatat dhe integrimi, Rama dhe Basha replikojnë në parlament

Negociatat dhe integrimi, Rama dhe Basha replikojnë në parlament

Ashtu siç pritej në seancën e plenare të së enjtes në parlamentin shqiptar pati debate të forta rreth lajmeve më të fundit për çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë si dhe problemeve të integrimit.
Për kryeministrin Edi Rama vendimi është i qartë dhe tashmë Shqipëria ka një datë për çeljen e negociatave, por për kreun e opozitës Lulzim Basha, jo vetëm që datë nuk ka, por Shqipërisë i janë shtuar edhe kushte të tjera që duhet të plotësojë.
Që në nisje, deputetët demokratë kërkuan që në sallë i pranishëm të ishte edhe kryeministri Rama, pasi sipas tyre ai është përgjegjësi kryesor për shtyrjen e çeljes së negociatave. Pas dy ndërprerjeve, në podium ka dalë kryeministri Rama, i cili ka renditur fillimisht arsyet se përse nuk debatohet me këtë opozitë. “Jeni katandisur në një futë esadistësh. Nuk kemi çfarë të debatojmë! Nuk kemi punë fare me këta! Barra jonë është shumë e rëndë dhe nuk mund të mbajmë dhe mbi këta në kurriz. Boll. I lëmë në punën e tyre dhe ne të ecim përpara, sepse ka shumë për të bërë e sfida për të fituar” tha zoti Rama
Më tej zoti Rama tha se në këtë stad e gjithë puna do të përqëndrohet vetëm në nisjen e procesit për çeljen e negociatave.
Por në replikë me zotin Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se është e qartë që çelje të negociatave nuk ka dhe për këtë fajtor është kryemnistri Rama, dhe se tashmë edhe kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë janë shtuar. Si dhe një ditë më parë zoti Basha bëri thirrje për protesta masive që kryeministri socialist Rama të largohet nga pushteti. “Nëse nuk e largojmë këtë qeveri rezultati do të jetë i njëjtë. Do të mblidhemi në këtë sallë me Kim Jong Un dhe teveqelët e tij dhe një Shqipëri akoma më të zbrazët. Sot është dita që Edi Rama ka falimentuar në çdo aspekt. Është i vetmi kryeministër që nuk ka asnjë arritje të vetme sa i takon integrimit. Toyotat janë maja e asjbergut. Pushtetarët vijnë garant për eurot e pista” tha zoti Basha.
Më herët diskutime pati edhe nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati, i cili akuzoi opozitën se ka hedhur baltë mbi Shqipërinë.

Sicred